May 15, 2024
Rajon - Botë

Prigozhin është ende gjallë dhe po përgatit hakmarrjen ndaj Putinit

Ish-lideri i grupit mercenar rus Wagner, Yevgeny Prigozhin, “është ende gjallë dhe po përgatit hakmarrjen ndaj presidentit të Rusisë, Vladimir Putin”, ka thënë eksperti rus Valery Solovey, raporton “Daily Star”.

Këto pretendime vetëm pak ditë pasi Rusia ka konfirmuar se trupi i Prigozhinit është gjetur në vendin ku u rrëzua aeroplani i tij javën e kaluar në afërsi të Moskës. Është thënë se analizat gjenetike kanë konfirmuar se një nga trupat e gjetur ishte i Prigozhinit.

Prigozhin ishte në mesin e dhjetë personave që humbën jetën kur aeroplani “Embraer Legacy 600” u rrëzua në afërsi të Moskës.

U raportua për një shpërthim brenda aeroplanit.

Por, përkundër konfirmimeve, eksperti rus Solovey ka thënë se Prigozhin “është gjallë dhe gjendet në një shtet tjetër”.

Ish-profesori i Institutit të Moskës për Marëdhënie Ndërkombëtare, ka thnëë se Prigozhin nuk ishte fare në aeroplan.

“Së pari, aeroplani në të cilin Yevgeny Prigozhin është dashur të fluturonte u rrëzua nga sistemi i mbrojtjes ajrore të Rusisë – nuk kishte shpërthim brenda aeroplanit. Prigozhin nuk ishte fare në aeroplan. Ishte sozia e tij – Vladimir Putin e di mjaft mirë këtë. Nëse ju…u besoni deklaratave zyrtare të autoriteteve ruse, atëherë çfarë të them…?” – ka deklaruar Solovey.

Soloveyt ka thënë se do ta zbulojë muajin e ardhshëm se ku gjendet Prigozhini, por ka mohuar se është në Afrikë, ku grupi mercenar Wagner është prezent.

Mirëpo, Prigozhin – varrimi i të cilit pritet të mbahet dhe në të cilin ka refuzuar të marrë pjesë presidenti i Rusisë, Vladimir Putin – planifikon të paraqitet vetë në fund të vitit.