May 22, 2024
Maqedoni

Gazetari belg përgatit reportazh për bukuritë e Tetovës

Në këtë ditë të bukur me diell isha mysafir i udhëpërshkruesit modern Mark De Jong, gjegjësisht në emisionin e tij “Aventurat e Markut” që emitohet çdo të diel në Televizionin TELMA. Kaluam disa çaste pak më ndryshe ngase autori, i cili jeton në Belgjikë, kishte një qasje pak më ndryshe për ta prezantuar Tetovën.
Fola për personalitetin e donatorit të Xhamisë së Pashës, Abdurrahman pashën, për bamirësinë e tij, për trendet progresive në art dhe në kulturë në kohën e tij si dhe për menaxhimin e shkëlqyeshëm të qytetit në gjysmën e parë të shek. XIX nga dy pashallarët të njohur të Tetovës. Gjithashtu fola për vlerat estetike të dy monumenteve të njohura, xhamia Allaxha dhe teqeja Arabati.
Kulmi i kësaj ndodhi në ëmbëltoren e njohur AMFORA të Tetovës, ku e prezantuam traditën e përgatitjes së ëmbëlsirave të njohura tetovare: bakllavanë, tullumbat, akulloren dhe bozën. I shijuam këto me nikoqirët Selimin dhe Bekimin që janë pasardhës të familjes së njohur që e themeluan këtë brend në Tetovë.