May 19, 2024
Maqedoni

Ahmeti dhe Kolashinac: Lëvizja Demokratike Boshnjake i bashkëngjitet Frontit Evropian

Frontit Evropian të udhëhequr nga BDI-ja iu bashkëngjit edhe Lidhja Demokratike Boshnjake. Marrëveshja u nënshkrua nga kreu i integristëve, Ali Ahmeti dhe kryetari i Lidhjes Demokratike Boshnjake, Munir Kolashinac. Marrëveshja u nënshkrua para monumentit të ngritur në përkujtim të viktimave të Srebrenicës në Çair të Shkupit, informon TVM2.

“Kjo marrëveshje bëhet për t’i thënë jo Rusisë, jo gjenocidit që ushtrohet, dhunës e reprezaljeve në Ukrainë, për të thënë që Ballkani Perëndimor vendin e ka në Bashkimin Evropian. Të bashkuar të gjithë jemi më të fortë dhe kjo aleancë, kjo bashkëngjitje që Unioni boshnjak bëhet me Frontin Evropian këtë front e forcon, këtë front e bën bindshëm triumfues e fitues në këto zgjedhje presidenciale dhe parlamentare.”, – deklaroi kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.

“Lidhja Demokratike Boshnjake pas konsultimeve të brendshme ka vendosur t’i bashkëngjitet Frontit Evropian dhe do të bëjë gjithçka që është e mundur që boshnjakët të prezantohen në mënyrë adekuate në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut. Tani është koha që të punojmë për arritjen e qëllimit për anëtarësim në BE, prandaj ju ftoj të mbështetni Unionin tonë dhe koalicionin tonë, Fronti Evropian.”, – theksoi kryetari i Lidhjes Demokratike Boshnjake, Munir Kolashinac.

Deri tani pjesë e Frontit Evropian janë bërë të gjitha partitë shqiptare në pushtet, si dhe Partia Demokratike Turke, Lëvizja e Turqve të Maqedonisë dhe Unioni i Romëve./TVM2.