Në adresimin e tij në Sesionin e 13-të Plenar të Asamblesë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore, që u mbajt në Sofje, kryetari i Kuvendit Afrim Gashi vuri në pah se dialogu ndërparlamentar, fqinjësia e mirë dhe e ardhmja evropiane e rajonit mbeten elemente vendimtare për perspektivën e Evropës Juglindore.

Sipas tij, në një periudhë të shoqëruar me sfida gjeopolitike, vendet e rajonit duhet të dëshmojnë përgjegjësi dhe pjekuri politike, ndërsa parlamentet, përmes diplomacisë, duhet të forcojnë besimin dhe bashkëpunimin mes tyre.

Gashi deklaroi se Maqedonia e Veriut vazhdon të jetë e përkushtuar ndaj marrëdhënieve të mira fqinjësore, duke nënvizuar se integrimi në Bashkimin Evropian përfaqëson një orientim strategjik të shtetit, i mbështetur prej dekadash.

Ai theksoi gjithashtu se vendi ka kaluar një proces të vështirë, duke marrë vendime dhe kompromise historike në funksion të rrugës së tij evropiane.

" "

Duke folur për integrimin, Gashi u shpreh se Maqedonia e Veriut i ka plotësuar kriteret dhe ka marrë vlerësime pozitive, por shpesh është përballur me kushte dypalëshe, të cilat kanë krijuar ndjenjë padrejtësie te qytetarët.

Në këtë kontekst, ai kërkoi që procesi i anëtarësimit në BE të zhvillohet mbi baza të parashikueshme, të drejta dhe sipas kritereve evropiane, duke paralajmëruar se zvarritjet dëmtojnë besimin ndaj projektit evropian.

sqShqip