October 15, 2024
Maqedoni

Gashi: Jemi ndër partitë më mirë të strukturuara

Kryetari i Alternativës, Afrim Gashi i ftuar në emisionin Klan Debat me Xhumadije Ibraimin, duke folur për debatet dhe kundërshtimet brenda partisë, theksoi se Alternativa është njëra nga partitë më mirë të strukturuara. Pakënaqësitë, sipas Gashit, ekzistojnë në çdo parti politike dhe kjo është pjesë e kulturës politike në vend.

Unë jam kyçur në politikë në vitin 2014 kur e kemi themeluar Lëvizjen Besa. prej atëherë e deri sot, kurrë nuk kemi pasur strukturë dhe organizatë më të mirë se tani”, tha mes tjerash Gashi.

A do të largohet nga Alternativa deputeti Hysni Ismaili?

I pyetur në Klan Debat për deputetin Hysni Ismaili dhe mundësinë që ai të dalë nga grupi i deputetëve të Alternativës dhe të veprojë si i pavarur, Afrim Gashi theksoi se me të nuk kanë asnjë mosmarrëveshje. Megjithatë, sipas Gashit, secili prej deputetëve të këtij subjekti, ka të drejtë individualisht të deklarohet dhe askush nuk mund ta detyrojë që të marrë ndonjë vendim.

“Askush nuk mund ta detyrojë askënd të marrë ndonjë vendim. Çdo deputet e ka të drejtën kushtetuese të deklarohet se a do të qëndrojë nën siglën e partisë me të cilën e ka marrë mandatin, a do të dalë i pavarur, të votojë kështu apo ashtu. Është në vulnnetin e tij apo të tyre që të vendosin si të duan”, tha mes tjerash Afrim Gashi në Klan Debat.

Gashi shtoi se Alternativa si subjekt ka synim rritjen dhe fitoren në kampin politik shqiptar e për këtë qëllim kanë bërë edhe bashkëpunimin opozitar.