May 19, 2024
Maqedoni

Formohet parti e re shqiptare në Maqedoni “Vetëvendosje Kombëtare”, do i prijë Nevzat Dervishi!

Skenës politike shqiptare të Maqedonisë së Veriut, i shtohet edhe një subjekt i ri politik, i quajtur Vetëvendosje Kombëtare (VVK), që do t’i prijë politikologu Nevzat Dervishi.
Ai paralajmëron një ideologji krejtësisht të re në skenën politike shqiptare të MV-së.
Theks të veçantë vë në procesin e vendimmarrjes, barazisë dhe bashk(ëpun)imit vëllazëror me të gjitha partitë shqiptare në vend.
Fillimisht ai shprehet se me Vetëvendosjen Kombëtare, populli shqiptar në MV, do t’i hedh themelet e vetëvendosjes së brendshme në shtet, me të drejtë vendimmarrjeje në të gjitha nivelet e pushtetit shtetërorë.
“Dua ta përgëzoj popullin shqiptarë të Maqedonisë së Veriut, se me Vetëvendosjen Kombëtare, popullit do t’i jepet mundësia që t’i hedh themelet e vetëvendosjes interne në shtet me të drejtë vendimmarrjeje, duke vënë në praktikë mekanizmin e Institutit të Kundërfirmës (kundërnënshkrimeve).
Sipas tij, në një shtet siç është Maqedonia e Veriut me dy bashkësi më të mëdha etnike (shqiptarë dhe maqedonas), e vetmja formulë është barazia.
“Si shtet me dy bashkësi etnike më të mëdha siç është Maqedonia e Veriut, e vetmja formulë është barazia në të gjitha nivelet shtetërore”. – shprehet ai.
Në vija të trasha, ai shpalos vetëm dy pika fundamentale të VVK-së, siç është ndryshimi substancial i sistemit politik në MV si dhe vendimmarrja.
“Vetëvendosja Kombëtare, ka pikpamje krejtësisht të kundërta nga partitë tjera. Vjen si një ideologji e re shqiptare, fillimisht duke shpalosur dy pika më fundamentale të platformës së saj, siç është ndryshimi rrënjësor i sistemit politik, dhe inkorporimi i vendimmarrjes, që është çelësi i barazisë në shtet”.
“Prandaj, nuk ka rrugë që të çon në Vetëvendosje, Vetëvendosja është vetë rruga”– thotë ai.
Dhe në fund, ai i bën thirrje popullit shqiptarë të Maqedonisë së Veriut, që në mënyrë masovike t’i bashkangjitet këtij projekti të pakthyeshëm kombëtar, projekt ky që do të jetë i pakompromis në drejtim të barazisë në shtet, i cili ka vetëm një emër Vetëvendosje Kombëtare (VVK).