Dossier

Etapat e shpërnguljes në rajonin e Likovës si pasojë e elaborateve të akademikëve serbë

Hoxhallarët në mënyrë të vazhdueshme i bënin thirrje popullatës që mos ta lëshojë vendin. Dhe, si mekanizëm për ndaljen e fluksit të shpërnguljes thoshin: “Haram ka bërë ai që e lëshon vendin.” Po ashtu: “Ka bërë haram edhe ai që i përcjell deri te stacioni…”

Shkruan: mr. Seid Fejzuli

Pas Luftës së Parë Botërore (LPB) territori i Maqedonisë (së Veriut) u bë pjesë e Mbretërisë SKS (më pas: jugosllave), e cila u themelua në vitin 1918 dhe ekzistoi si e tillë deri në vitin 1941, mbretëri e cila ndaj shqiptarëve ushtroi dhunë, tortura, padrejtësi, burgosje, mbyllje të shkollave dhe të mejtepeve. Po ashtu, në këtë periudhë kohore viset shqiptare u ballafaquan edhe me shpërngulje masive të popullatës, gjë që vazhdon të jetë plagë e pashëruar edhe sot e kësaj dite në mesin e shoqërisë sonë.

Shpërngulja në vend të huaj asnjëherë nuk ka mundur të jetë e lehtë, e sidomos në ato kohëra të vështira me varfëri. Planet për shpërnguljen e shqiptarëve ishin paraparë në elaboratet e Vaso Çubrilloviqit dhe të Ivo Andriçit, që zgjati gjatë periudhës ndërmjet dy luftërave botërore.

Sa i përket ecurisë së shpërnguljeve në rajonin e komunës së Likovës, sipas rrëfimeve, me largimin e pushtetit osman dhe ardhjen në pushtet të mbretërisë SKS-së prej vitit 1912, filloi etapa e parë e shpërnguljes.

Destinacioni i parë ishte Shami, apo siç njihet Siria e sotme. Fillimisht, largimi i tyre është bërë drejt Turqisë, pastaj me anije janë transferuar drejt Shamit. Pushteti ndaj popullatës pjesë-pjesë ushtronte dhunë dhe zullum. Dhe ata, ndaj të cilëve bëhej një gjë e tillë, nuk arrinin t’i përballonin dot dhe detyroheshin të shpërngulen.

Etapa e shpërnguljes në rajonin e Likovës për në Turqi kishte filluar gjatë viti 1912, torturat dhe presionet vazhduan gjatë vitit 1937, ndërsa fluksi i madh ndodhi gjatë viteve 1958-1964. Krahas torturave dhe presioneve që i përjetonin hoxhallarët, ata në mënyrë të vazhdueshme i bënin thirrje popullatës që mos ta lëshojë vendin. Dhe, si mekanizëm për ndaljen e fluksit të shpërnguljes thoshin: “Haram ka bërë ai që e lëshon vendin.” Po ashtu: “Ka bërë haram edhe ai që i përcjell deri te stacioni”, ku ishte pikënisja për në Turqi.

Azem Latifi, i njohur si Azem Hoxha, ish-vaiz në xhaminë e Kumanovës, ishte kundër politikës diskriminuese ndaj shqiptarëve dhe kundër shpërnguljeve në Turqi. Ai asnjëherë nuk u pajtua me ata që bënin shpërnguljen. Azem Hoxha nuk e njihte Sokratin, mirëpo mendonte si ai: “Më mirë vdekje e ndershme në atdhe, sesa jetë e turpshme në dhe të huaj.”

Hoxhallarët i shfrytëzonin të gjitha mundësitë që kishin në dispozicion për ta bindur popullatën që mos të shpërngulej. Ata flisnin nëpër xhami, nëpër mexhlise të ndryshme, nëpër mejtepe, nëpër konakë, nëpër mevlude. Bisedonin edhe me personalitete të ndryshme politike dhe kombëtare. Kundër shpërnguljes ishin të gjithë hoxhallarët, por më të zëshëm ishin: Shaban ef. Osmani, Hajdar ef. Jashari, Azem Latifi, Abedin Hoxha, Xhafer Azizi, Xhemail ef. Xhemaili dhe të tjerë. Ata formuan një rrjet të gjerë dhe apelonin që mos t’i lëshojnë vatrat e tyre. Falë aktivitetit të tyre dhe figurave kombëtare, emigrimi nuk mori përmasa të mëdha dhe u evitua spastrimi etnik që kishin planifikuar qarqet sllave.

Sa i përket etapës së Evropës, shpërngulja filloi rreth viteve 1969-1970. Normalisht, fillet e para kanë qenë të vështira. Si destinacion ato kishin shtetin e Gjermanisë dhe secili që merrte rrugë, synonte të qëndrojë përkohësisht. Pra, të tubojnë një shumë të hollash dhe të kthehen në vend, për të blerë mjete teknike që më lehtë t’i realizojnë punët e bujqësisë dhe të blegtorisë. Mirëpo, për disa ndodhi e kundërta, ngase pajiseshin me shtetësinë e atjeshme. Specifikë ishin porositë e kryefamiljarit, që besimin dhe frikën ndaj Zotit çdoherë ta kenë në rend të parë, ngase kishin frikë se në vend të huaj mos të humben dhe të devijojnë.

Pra, shihet qartë se trendi i shpërnguljes qysh herët ka qenë dhe, për fat të keq, vazhdon edhe sot e kësaj dite me një fluks të madh falë ndikimit të faktorit ekonomik, social, politik, psikologjik dhe të sigurisë.

Pa dyshim se shpërngulja e popullatës jashtë vendit është problem tejet shqetësues, sepse me të po rrezikohet zvogëlimi i numrit të popullsisë, humbja e fuqisë punëtore dhe e klasës intelektuale, e sidomos largimi i gjeneratave të reja. Shqetësim tjetër i saj është asimilimi, duke përfshirë gjuhën, identitetin dhe besimin. Edhe pse si anë pozitive të shpërnguljes veçojmë zhvillimin në aspektin profesional dhe material, por shumë shtëpi po boshatisen dhe po mbyllen, shkollat po zbrazen, kompanitë po shuhen, prindërit dhe gjyshërit po mbesin pa fëmijët, pa nipërit dhe mbesat e tyre.

Ky fenomen lë të kuptosh faktin se qysh herët është punuar dhe janë bërë përpjekje maksimale nga qarqet e ndryshme sllave, përmes skenarëve të errët, që me çdo kusht viset shqiptare të zbrazen, fenomen i cili po vazhdon edhe sot në pluralizëm – me dhunë dhe trysni ndoshta jo, por përmes mekanizmave të tjerë, të cilat po e imponojnë dhe po e joshin shpërnguljen e popullatës.

Pa marrë parasysh kohën dhe vendin ku jetojmë e veprojmë, të gjithë jemi emigrues të vetvetes. Prandaj, duhet bërë përpjekje maksimale në korrigjimin e vetvetes nga virtytet, nga sjelljet, qëndrimet, mendimet, fjalët e veprimet e pahijshme, si dhe nga faktorët dhe ndikimi i kulturave, zakoneve dhe traditave të huaja.

Më parë shpërngulja, në kohërat e hershme, ishte me dhunë, për shkak të spastrimit etnik të shqiptarëve nga trojet e tyre dhe zëvendësimin e tyre me popullatë kolonizuese. Mirëpo, në vitet ’70 të shekullit XX filloi emigrimi i shqiptarëve për në vendet e Perëndimit, por pa familje, për përfitime ekonomike. Në kohën e fundit po vazhdon ky trend i shpërnguljes së popullatës shqiptare nga trojet e tyre, duke kërkuar jetë më të mirë – edhe atë, truri i inteligjencies po shpërngulet dhe kjo na dërgon drejt asimilimit modern me vetëdëshirë.

(Autori është Edukator në SHMI “Medreseja Isa Beu”, Shkup. Fusnotat nuk janë përfshirë. Recensent i punimit: prof. dr. Minir Ademi, historian.)