May 5, 2024
Maqedoni

Prokurori tregon sa plumba janë shkrepur në drejtim të Jeton Krivanjevës dhe Enes Isenit

Shefi i Prokurorisë së Shkupit, Gavrilo Bubevski, thotë se autorët kanë shkrepur 40 deri 50 plumba në drejtim të Jeton Krivanjevës dhe Enes Isenit, që në fillim të javës në Shkup.

“Janë shkrepur 40 deri 50 plumba. Pjesa më e madhe kanë përfunduar në trupin e dy të ndjerëve”, thotë Bubevski në intervistën në emisionin “360 Gradë” që sonte transmetohet në Alsat M.

Ndryshe autorët e vrasjes së dyfishtë ende janë në arrati ndërsa nuk dihen as motivet e incidentit të armatosur. Policia ka zbardhur pak detaje ndërsa prokuroria njofton se po punon për vërtetim e veprës dhe identifikimin e autorëve. Deri tani është gjetur vetëm një veturë e djegur që dyshohet se kanë përdorur autorët e krimit.

Nga incidenti i armatosur në këtë lokal mbetën të vrarë Jeton Krivanjeva dhe Enez Isejni ndërsa u plagos edhe një person i tretë. E gjitha që dihet për autorët e krimit deri tani është një veturë e gjetur e djegur afër lagjes Vizbeg.

Sipas policisë Krivanjeva me emrin e njohur “Zhilla” dhe Isejni me emrin e njohur “Llaci” janë sulmuar nga 5 persona të maskuar dhe të uniformuar ku si pasojë e plagëve kanë ndërruar jetë në vendin e ngjarjes. I plagosur ka mbetur personi Talha Ali 34 vjeç për të cilin supozohet të ketë punuar kamerier në lokalin ku ndodhi incidenti në rrugën që ndanë Kalanë e Shkupit dhe Çarshinë e Vjetër. Vetura me të cilën dyshohet të kenë lëvizur autorët e krimit është gjetur e djegur 20 minuta pas incidentit në një lokacion periferik. Prokuroria Publike ka sekuestruar provat nga vendi i ngjarjes dhe me kamerat e sigurisë po punon në identifikimin e autorëve dhe zbulimin e trajektores së lëvizjes.