Tashmë një muaj nuk ka asnjë gjurmë nga Ljubço Stojanovski, ndërsa familja e tij, përmes rrjeteve sociale, ka bërë sërish apel te qytetarët për çdo informacion që mund të ndihmojë në gjetjen e tij.
Një anëtar i familjes thekson se gjatë muajit të kaluar ata vetë kanë mbledhur informacione dhe janë përpjekur të përcaktojnë se ku dhe si ka lëvizur Ljubço në ditët e fundit para zhdukjes.
“Një muaj i tërë familja jonë jeton në pasiguri, frikë dhe shpresë. Kërkojmë vetë, mbledhim vetë informacione dhe përpiqemi vetë të rindërtojmë se ku dhe si ka lëvizur në ditët e fundit”, thuhet në apel.
Familja publikisht kërkon edhe përgjigje nga institucionet kompetente se çfarë është ndërmarrë deri tani në kërkimet për të. Ata pretendojnë se deri më tani nuk kanë marrë informacione konkrete për aktivitetet e ndërmarra dhe theksojnë se Stojanovski nuk është publikuar në faqen zyrtare të MPB-së në mesin e personave të zhdukur.
“Shkupi është i mbuluar me një numër të madh kamerash. Ekziston edhe sistemi ‘Safe City’. Lëvizjet e tij të fundit nuk janë plotësisht të panjohura – kemi informacione se ku është parë dhe në cilin drejtim ka lëvizur”, shkruan një anëtar i familjes.
Familja u bën apel të gjithë qytetarëve nga Shkupi dhe rrethina që të shikojnë me kujdes dhe, nëse e kanë parë Ljubçon ose kanë çfarëdo informacioni për të, ta njoftojnë menjëherë policinë ose familjen.
Informacionet mund të raportohen në 112 ose 192, si dhe përmes Viber-it në numrin +43 660 482 5979.
“Ljubço nuk është vetëm një numër denoncimi. Ljubço është vëllai, daja, babai, bashkëshorti i dikujt dhe një njeri që ka një familje e cila çdo ditë pret që ai të kthehet në shtëpi”, ka porositur familja.

