May 5, 2024
Kosovë

Escobar – Kurti: Qëndrime të ndryshme karshi veriut

Të dy folën për temën e njëjtë, por fajin e hodhën në adresa të ndryshme.

Kryeministri Albin Kurti dhe i dërguari amerikan për Ballkanin Gabriel Escobar, patën çasje të kundërta duke komentuar për BBC-në zhvillime në veri.

I pari, tha se sebepi kryesor për këtë gjendje është Serbia me presidentin e saj dhe se ky vetë është i gatshëm t`i dëgjojë propozimet përfshirë zgjedhjet e reja për dalje nga kjo situatë.

Kreu i ekzekutivit kosovar, shtoi se për kënd janë objekte komunale nëse kryetarët veriorë nuk duhet të shkojnë në zyra.

E me këtë nuk po pajtohet përfaqësuesi i ShBA-vë, që për po të njëjtin medium deklaroi se përgjegjës për tensionet në veri kryekëput është qeveria që për shef ka Albin Kurtin.

Kjo mbase mund të jetë temë diskutimi mes Kurtit e Escobarit edhe të hënën, kur amerikani viziton fillimisht Kosovën bashkë me emisarin evropian për dialog, Miroslav Lajcak, e më pas edhe Serbinë.