Erion Veliaj shpallet qytetar nderi i Gostivarit
Me një ceremoni solemne kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj është shpallur qytetar nderi i komunës së Gostivarit.Ceremonia është mbajtur para komunës së Gostivarit pasditen e së enjtes.Kryetari i komunës së Gostivarit Arben Taravari tha se Erion Veliaj mori më të mirën e shkollës shqiptare dhe më të mirën e shkollës amerikane, por mbi të gjitha, një nga fushat tek të cilat ai ka këmbëngulur të përmirësojë vazhdimisht, është edukimi dhe të gjitha format e tij. “Me një karrierë të vështirë si janë ato të politikanëve shqiptarë, i vendosur përballë sfidash të forta sociale, politike, ekonomike dhe padyshim edhe psikologjike, ai ka ditur që në mënyrë të jashtëzakonshme të rrisë vlerat e tij, e sidomos të mendojë më të mirën për qytetarët dhe shqiptarët.Edhe pse popullariteti i tij është si i një rockstari, ai prej herës së parë është treguar modest, i gatshëm për të ndihmuar dhe tejet mikpritës. Nuk e harroj kur ishim përballë derës së Bashkisë së Tiranës, në njē ditë kur gra e burra të rëndësishëm të politikës evropiane, hynin e dilnin. Menduam se kryetari i saj as nuk do gjente kohë të na priste, madje dhe e mirëkuptova këtë gjë duke menduar ngarkesën që kanë evente të tilla.Por ajo që ndodhi ishte befasuese. Jo vetëm që na pritën, por ceremonia ishte e njëjtë si ato që i bëheshin qyteteve të mëdha evropiane. Atë ditë Gostivari ishte në sytë e gjithë atyre personaliteve, dhe këtë mundësi dinjitoze ta jep vetëm një shqiptar i mirë duke treguar patriotizëm në formën më të mirë, sipas meje”tha mes tjerash kryetari i komunës së Gostivarit Arben Taravari.Më tej ai tha se ur mendon Tiranën, automatikisht të vjen në mend kryeqyteti më dinamik në Ballkan, por që kryetari i bashkisë së saj të bëjë PR për Gostivarin, kjo padyshim që është surprizë.
“Me shumë projekte në diskutim, me shumë dëshirē e pasion ky njeri prej kur e njoh, ka një dedikim të veçantë ndaj qytetit tonë.Tiranën e ka kthyer në një kryeqytet evropian që nuk ka shqiptar që nuk krenohet me të. Aq është i dhënë pas punës së tij, sa nëse ndonjëherë vendos të punojë jashtë trojeve zyrtare shqiptare, e propozoj me gjithë vullnetin tim të kandidojë si kryetar i Komunës së Gostivarit. Premtoj që do mbjellim pemë sa të dojë, sepse gjelbërimin e ka pikë të dobët. Nëse kjo do të ndodhte, do të bëja me qejf fushatën e tij madje.Ndaj menjëherë kam privilegjin që sot të shpall Qytetar Nderi djalin që çdo nënë do donte ta kishte, babain që çdo fëmijë e meriton, politikanin energjik dhe vizionar, mikun e Gostivarit, mikun tim personal, kryetarin e Bashkisë së Tiranës e prej sot edhe qytetarin e nderit te Gostivarit Erion Veliaj” tha Taravari.Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj tha se Gostivari është një model suksesi.Ai tha se Tirana është një dyer e hapur për Gostivarin.Veliaj theksoi se bota ecën me një dinamikë të shpejtë dhe brenda mandatit të një kryetari ndodh tërmeti,vërshimet dhe gjëra që në të kaluarën kanë ndodhur njëherë në 100 vjet,prandaj kryetarët e komunave duhet të jenë të zhdërvjelltë.Ai më tej shtoi se duhet që shtetet fqinje të kenë një bashkëpunim më shumë dhe të lidhen ndërmjet veti.
Kryetari i këshillit të komunës së Gostivarit Valbon Limani tha se Tirana në krye me Erion Veliajn, Tirana nën drejtimin e tij ka arritur shumë suksese duke bërë që Tirana të jetë një kryeqytet i njohur në botë.
Në këtë ceremoni kanë marrë pjesë një numër i madh i funksionarëve nga vendi dhe Shqipëria,deputet,krerët fetarë dhe këshilltarët e komunës së Gostivarit.