April 29, 2024
Maqedoni

Energjia elektrike do rritet nga 8 deri në 9 për qind

Çmimi i energjisë elektrike për amvisëritë nga Viti i Ri do të rritet maksimum tetë deri nëntë për qind, mëson Alsat nga burime qeveritare. Gjatë përllogaritjes së çmimeve të reja më të larta, autoritetet shpallën gjendje krize që do të jetë në fuqi në 30 ditët e ardhshme. Me këtë lëvizje, Qeveria mund të injektojë para nga buxheti në kompanitë shtetërore të energjisë. Në vend të programit Covid, nga Qeveria në arkën e Elektranave dhe MEPSO-s do të transferohen 65 milionë euro për blerjen e energjisë së shtrenjtë elektrike nga importi dhe mirëmbajtja e likuiditetit. Autoritetet sigurojnë se nuk do të ketë kufizime në përdorimin e energjisë elektrike.

“Me qëllim që të garantohen çmime më të ulëta të energjisë elektrike për amvisëritë, bëhet dallimi në pjesën e prodhimit për megavat që mund ta arrijë EMV-ja dhe vendimi në pjesën e çmimit të marrë nga Qeveria që është 36.1 euro për megavat orë për momentin.. “- pohoi Kreshnik Bekteshi – ministër i Ekonomisë.
Pas dy defekteve të mëdha që ndaluan prodhimin e energjisë elektrike në TEC Manastir, drejtori i ndërmarrjes shtetërore EMV, Vasko Kovaçevski nuk është paraqitur në publik. Mediat kanë kërkuar të tregohen arsyet e këtyre defekteve në këtë moment të ndjeshëm. Bekteshi thotë se Qeveria ka porositur Bordin e Drejtorëve të EMV-së që ta konstatojë nëse ka përgjegjësi në punën e stafit të kompanisë. Nëse vërtetohet, qeveria do të vendosë nëse do të ketë shkarkime apo sanksion më të butë.

“Mendimi im personal është se duhet të ketë përgjegjësi. Por fillimisht duhet të përballemi me krizën energjetike dhe pasi ta trajtojmë dhe të marrim masat e duhura, do të ulemi dhe do të flasim për përgjegjësi konkrete dhe kush ka dështuar në prodhimin vendor”- tha Kreshnik Bekteshi – ministër i Ekonomisë.
Derisa pritet të arrijë qymyri në vend, i cili duhet të shërbejë për prodhimin e energjisë elektrike në TEC Manastir dhe TEC Osllomej, EMV-ja këto pak ditë tashmë ka shpenzuar nëntë milionë euro për furnizim me energji elektrike nga jashtë.