Kryeministri Hristijan Mickoski thotë se për rikonstruimin e paralajmëruar të Qeverisë kemi një marrëveshje në parim me partnerët e koalicionit të Vlen-it dhe ZNAM-it, por zgjidhjet personale do të shpallen nesër në mbrëmje pas mbledhjes së Komitetit Ekzekutiv të VMRO-DPMNE-së.

“Po, ne nuk kemi biseduar për zgjidhje personale për emrat. Në parim kemi një marrëveshje rreth resorëve. Unë më parë kam thënë, derisa nuk përfundon mbledhja e Komitetit Ekzekutiv të partisë, nuk do të komentoj as resorët as emrat. Prisni deri nesër, përafërsisht deri në orën 20:00, publiku do të njoftohet detajisht”, tha Mickoski në pyetjen e gazetarëve për të cilën u dakordua me VLEN-in dhe ZNAM-in.

I pyetur se kur do të ketë informata për ndryshime në eshalonët tjerë, Mickoski theksoi se me ato aktivitete do të vazhdohet nga shtatori.

“Këtë muaj është parashikuar rikonstruimi i Qeverisë, është parashikuar ribalanci i Buxhetit dhe nëse është e nevojshme, seanca të caktuara që do të sjellin ligje të caktuara reformuese që janë të nevojshme për Agjendën e Reformave në përputhje me rregullat. Pastaj, për aq sa jam i informuar, Kuvendi është me pushime në gusht, kështu që do të vazhdojmë nga shtatori e tutje”, tha Mickoski, i cili mori pjesë në hapjen e një kopshti fëmijësh në Trubarevë në komunën e Gazi Babës.

sqShqip