May 4, 2024
Rajon - Botë

Ekipi i OKB-së akuzon Hamasin: Mund të ketë pasur dhunë seksuale më 7 tetor

Një ekip i ekspertëve të Kombeve të Bashkuara bëri të ditur se “ka arsye të forta” për të besuar se ka pasur dhunë seksuale, përfshirë përdhunim dhe përdhunim në grup në disa lokacione në Izrael gjatë sulmit të 7 tetorit nga militantët e Hamasit – grupit të shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

“Janë mbledhur gjithashtu edhe të dhëna të hollësishme dhe të besueshme, të cilat mund të jenë tregues i disa formave të dhunës seksuale, torturën e seksualizuar apo trajtimin mizor, çnjerëzor dhe përçmues”, thuhet në raportin 24-faqesh të OKB-së.

Por, grupi radikal palestinez, Hamas, i ka mohuar vazhdimisht akuzat për dhunë seksuale.

“Ekipi i misionit gjeti informata bindëse dhe të qarta se disa pengje që u dërguan në Gazë, ishin subjekt i formave të ndryshme të dhunës seksuale të ndërlidhur me konfliktin, dhe ka arsye të forta për të besuar se një dhunë e tillë ka mundur të jetë e vazhdueshme.”, thuhet në raport.

Ky ekip tha se mund të nevojitet një hetim i plotë për ta vërtetuar madhësinë e përgjithshme, fushëveprimin dhe atributin specifik të dhunës seksuale.