Skandali i korrupsionit në Ukrainë po zgjerohet: Ministri i Drejtësisë, Herman Halushçenko, dhe Ministrja e Energjisë, Svitlana Hrynçuk, dhanë dorëheqjen me kërkesë të Presidentit Volodymir Zelenski. Kërkesa e Zelenskit erdhi pas njoftimeve të Zyrës Kombëtare Kundër Korrupsionit (NABU) lidhur me një skemë pastrimi parash në shkallë të gjerë në sektorët e energjisë dhe të mbrojtjes. Të dy ministrat i mohuan akuzat kundër tyre.
Oleksandr Abakumov, drejtuesi i ekipit përkatës hetimor, deklaroi se gjatë hetimeve, janë bërë mijëra orë regjistrime audio, të cilat ofrojnë prova kundër një grupi kriminal të rangut të lartë që vepronte në sektorët e energjisë dhe të mbrojtjes. Deri tani janë arrestuar pesë të dyshuar, nga shtatë vetë që dyshohet se i përkasin grupit kriminal.
Si funksiononte sistemi i korruptuar?
Sipas hetimeve anëtarët e grupit kriminal kërkonin nga kontraktorët e kompanisë energjetike “Energoatom” që është furnizuesi më i madh i energjisë në Ukrainë, ryshfete që arrinin në 10 deri në 15 përqind të vlerave të kontratave.
“Faktikisht ishte krijuar një sistem në të cilin një kompani strategjike me një xhiro prej mbi 200 miliardë hryvnia (rreth 4 miliardë euro) nuk menaxhohej nga drejtuesit e lartë, bordi mbikëqyrës ose shteti si pronar, por nga një person i jashtëm i cili, pa autorizim, kishte marrë rolin e një menaxheri bedel”, deklaroi NABU në një njoftim për shtyp.
Roli i veçantë i “Karlsonit”
Sipas Zyrës Kombëtare Kundër Korrupsionit (NABU) një person me pseudonimin “Karlson” kontrollonte të ashtuquajturën “lavanderi”, nëpërmjet së cilës paratë e fituara nëpërmjet aktiviteteve kriminale hidheshin për t’u pastuar në rrjetin legal financiar dhe ekonomik.
Deputeti Jaroslav Zhelezniak i grupit parlamentar “Holos” (Zëri) thotë se “Karlsoni” që shfaqet në përgjimet e NABU-së është biznesmeni Timur Mindikh. Sipas mediave ukrainase NABU bastisi më 10 nëntor edhe shtëpinë e Mindikh.

