Sot është shënuar 80 vjetori i themelimit të Gjimnazit “Frang Bardhi” në Mitrovicë, shkruan Mitropol.

Me rastin e shënimit të këtij përvjetori, gjimnazi ka përzgjedhur 80 ish-nxënësit që kanë ndërtuar rrugëtimin e tyre profesional dhe akademik me sukses. E një ndër emrat e zgjedhur është edhe ai i Flutura Beka Kamberaj.

Dr. Flutura Beka Kamberaja aktualisht është drejtoreshë në bankën NLB në Mitrovicë, në të cilën ka kontribuar për më shumë se 20 vite.

Beka Kamberaj ka qenë edhe asambleiste nga radhët e LDK-së në Komunën e Mitrovicës.

E në shkurt të këtij viti, ajo ka mbrojtur me sukses temën e doktoratës në fushën e Menaxhmentit Financiar në Walden University, SHBA.

Dr. Flutura Beka Kamberaj është padyshim ndër figurat më të respektuara dhe një nga gratë më të zonja të qytetit.

Ajo ka falenderuar përzemërsisht shkollën për vlerësimin ndaj saj.

Postimi i plotë:

Është nder i veçantë dhe emocion i papërshkrueshëm të jem pjesë e 80-vjetorit të Gjimnazit “Frang Bardhi”në Mitrovicë, si njëra ndër 80 ish-nxënësit e përzgjedhur që kanë ndërtuar rrugëtimin e tyre profesional dhe akademik me sukses. Për mua, kjo shkollë nuk ishte vetëm vendi ku mora dijen gjatë viteve 1997–2001, por edhe hapësira ku u formësova si individ, ku mësova përgjegjësinë, përfaqësimin dhe fuqinë e angazhimit rinor.
Gjatë viteve të gjimnazit pata privilegjin të jem për rreth tri vite kryetare e Gjimnazit “Frank Bardhi”, duke përfaqësuar shkollën në aktivitete të ndryshme dhe duke realizuar shumë projekte që synonin aktivizimin e të rinjve, bashkëpunimin dhe promovimin e vlerave të arsimit. Ato vite mbeten ndër kujtimet më të bukura dhe më formësuese të jetës sime.
Sot, pas shumë vitesh, ndihem krenare që rikthehem në këtë institucion me mirënjohje të thellë për profesorët, shokët dhe gjithë frymën që e ka bërë Gjimnazin “Frang Bardhi” një vatër të dijes, kulturës dhe suksesit ndër breza. Uroj që kjo shkollë të vazhdojë të nxjerrë gjenerata të suksesshme, të guximshme dhe me vlera njerëzore, ashtu siç ka bërë për 80 vite me radhë.

sqShqip