Kosovë

Dodik: Në këtë shekull na duhet një shtet i madh serb me Kosovën e Malin e Zi në të

Presidenti i Republikës Serbe në Bosnje e Hercegovinë, Milorad Dodik, ka thënë se në këtë shekull “serbët duhet ta kenë një shtet të vetëm”, pjesë të së cilit, sipas tij, duhet të jenë edhe Kosova dhe Mali i Zi.
“Ne po jetojmë në një epokë kur pas disa vitesh apo dekadash do të duhet të krijohet një konfigurim i ri botëror. Serbët nuk duhet të zihen në befasi, por tani duhet të themi se në këtë shekull duam një shtet të vetëm, të përbërë nga Serbia, Republika Serbe dhe nëse është vendim demokratik edhe nga Mali i Zi”, ka thënë ai për “Sputnik”, sipas uebfaqes së tij zyrtare, transmeton Vijesti.

Ai ka deklaruar se duhet të ketë një “kuvend të madh mbarëserb”, nga i cili do të dilte ky mesazh. Për çështjen e Kosovës, ka thënë se politika “kombëtare e shtetërore serbe, duhet të mbetet e përkushtuar për të”.

“Më duhet ta them se (presidenti i Serbisë, Aleksandar) Vuçiqi e ktheu këtë çështje në skenën ndërkombëtare nëpërmjet procesit të negociatave, por edhe përmes procesit të tërheqjes së njohjeve për Kosovën nga një numër i konsiderueshëm shtetesh. Mendoj se duhet të ruajmë një zgjidhje korrekte dhe të qëndrueshme e afatgjate, dhe që nuk është në interesin e Britanisë dhe Amerikës. E vetmja zgjidhje është Republika Serbe , Serbia dhe territoret serbe, Kosova, dhe sigurisht rikthimi i Malit të Zi në entitetin kombëtar serb, sepse padyshim që i përket vendi”, ka shtuar ai.

Dodiku është ndër politikanët e vetëm në Evropë që ka dalë haptas në përkrahje të Rusisë. Ai është i sanksionuar nga SHBA-ja.