May 30, 2024
Kosovë

Grabitësi i rrezikshëm lëvizë i lirë, policët që e arrestuan u dënuan me burgim dhe u suspenduan nga puna

Arrestimi i dy recidivistëve të rrezikshëm, me dhjetëra raste penale, për grabitjen e armatosur të së hënës në Prizren, ku si pasojë u plagosen babë e bir, pronar të argjendarisë ku u provua të kryhet vjedhja, ka kthyer edhe një herë vëmendjen se si në Kosovë shkaku “i çalimeve” në sistemin e sigurisë dhe drejtësisë, herë pas herë, lihen të lirë persona të rrezikshëm, e me të kaluar të përsëritur kriminale.

M.R, i dyshuar për një grabitje të armatosur në Gjakovë dhe që në polici ka të regjistruara hiç më pak se rreth 60 raste të tjera të ngjashme, por që vazhdon të lëvizë i lirë.

Madje, sikur të mos mjaftonte, M. R. ia panë sherrin edhe një grup policësh, përfshirë ish-komandantin e stacionit policor, që ‘guxuan’ ta arrestonin atë në vitin 2018 në Gjakovë, pas një shkëmbimi me armë zjarri që patën, pasi policia ishte vënë në ndjekje të tij derisa u zu në flagrancë duke kryer grabitjen në një shitore cigaresh, shkruan Reporteri.

M. R, nga Prishtina, bashkë me katër grabitës të tjerë dyshohet se me 14 nëntor 2018 tentuan ta grabisin një ‘tobacco shop’ në Gjakovë. Përpjekja e tyre për të grabitur lokalin ishte ndërprerë në gjysmë nga një patrullë e policisë e cila kishte arritur në vendin e ngjarjes.

Grabitësit ishin larguar nga aty me shpejtësi, me veturën e tyre, por kur policia iu ishte vënë atyre pas, vetura e katër të dyshuarve ishte aksidentuar në rrugë tek parku i qytetit.

Tre prej tyre kishin arritur të largoheshin, e vetëm M. R. ishte kapur nga patrulla policore.

Por dosja penale e M. R. në polici nuk del ta ketë të regjistruar vetëm këtë rast. Ai dyshohet dhe u arrestua për ta paktën rreth 60 raste tjera penale, shumica prej tyre si i dyshuar për grabitje e vjedhje.

Megjithatë, ai sot është i lirë dhe askush nuk është në ndjekje të tij.