Maqedoni

Deputetja e Alternativës: Para një viti na lutët edhe përmes familjes së Adem Jasharit të bëhemi pjesë e Qeverisë

I nderuari Kryetar, të nderuar kolegë deputetë,

Më lejoni që në emër të tre deputetëve të Alternativës ta shpreh qëndrimin tonë përkitazi me pikën e rendit të ditës për shkarkimin e anëtarëve të kabinetit qeveritar, gjegjësisht të ministrave dhe zëvendësministrave të derisotëm të Alternativës në qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Gjëja e parë që dua të shpjegoj është teknike. Ne, në mbledhjen e mbrëmshme të Kuvendit Qendror morëm vendim unanim që Alternativa tash e tutje të jetë parti opozitare dhe kjo është një temë e ezauruar për ne. Megjithatë, ministrat dhe zëvendësministrat tanë nuk dhanë dhe nuk do të japin dorëheqje, kjo për dy arsye: së pari sepse nuk ndjejnë asnjë përgjegjësi e faj që të japin dorëheqje, ndërsa, së dyti, ne nuk kemi arsye t’ia lehtësojmë nëpërkëmbjen dhe t’ia ndihmojmë nënçmimin një njeriu jomirënjohës dhe bukëshkelës, siç është njeriu që para një viti u bë kryeministër i Republikës së Maqedonisë së Veriut pikërisht falë votave të Alternativës. Megjithatë, ata që kryeministri ka propozuar të shkarkohen nuk kanë ardhur sot të ulen në bankën e akuzës, sepse nuk kanë më asnjë pikë respekti për këtë kryeministër dhe nuk kanë pse vijnë të arsyetohen e të mbrohen para dikujt që nuk operon me terma të këtillë. Ju keni të drejtë të provoni t’i shkarkoni, sepse nuk ua dimë ende numrat, ndërsa unë jam këtu që të flas edhe në emër të tyre.

Të nderuar kolegë deputetë, ju ftoj që të gjithë bashkë të kthehemi në nëntorin e vitit 2021. Atëbotë ky Kuvend mbeti me numër të vdekur, 60 me 60 deputetë, ndërsa e vdekur ishte edhe perspektiva europiane e Maqedonisë që Veriut, që e kishte marrë peng edhe të ardhmen europiane të Shqipërisë. Dhe, në atë kohë këtu ishim ne, deputetët e Alternativës, dhe pranë nesh ishin kolegët e Aleancës për Shqiptarët. Dhe, përkundër dëshirës dhe insistimit tonë që ta vazhdojmë agjendën politike opozitare, ishte pikërisht ky kryeministër dhe ish kryetari i LSDM-së që na lutnin deri në vardisje që ne të bëhemi pjesë e qeverisë. Madje, në atë kohë nuk lanë njeri pa na dërguar për të na bërë rixha. Që prej kryeministrit shqiptar Rama, miqve ndërkombëtarë, anëtarëve të familjes së Adem Jasharit, e deri në familjet tona, nuk lanë gurë pa trazuar që ne të pranojmë të bëhemi pjesë e shumicës qeveritare. Dhe, ne, përkundër çmimit që duhej ta paguanim në kuptim të popullaritetit tonë, duke e parë se kjo ishte bërë kërkesë e shumëfishtë, rrezikuam të dëmtohemi politikisht, për ta ndihmuar përfundimin e tranzicionit dhe hapjen e perspektivës europiane. Dhe, siç e dini, ne e morëm atë vendim dhe atë përgjegjësi, duke e bërë kapërcimin nga opozita në pozitë. Natyrisht, ne jemi krenarë që ky hap i vogël i yni ishte hap i madh për Maqedoninë e Veriut dhe për Shqipërinë, sepse falë veprimit të Alternativës, që e stabilizoi qeverinë, në korrik të vitit 2022 këto dy vende morën datë për fillimin e bisedimeve për integrim në Bashkimin Europian. Prandaj, ne jemi shumë të lumtur që u bëmë alternativa për hapjen e perspektivës europiane të këtij vendi, madje edhe të Shqipërisë.
Dhe, meqë vendimi ynë ishte politik, ne me kryetarin e atëhershëm të LSDM-së nënshkruam dhe publikuam një marrëveshje politike, si dhe një tjetër marrëveshje kadrovike, kjo e dyta si garanci e implementimit të marrëveshjes politike, e cila ishte miratuar edhe nga kryeministri aktual. Dhe, ndonëse pikat e asaj marrëveshjeje u zbatuan të gjitha nga ana jonë, megjithatë, për fat të keq, pala tjetër, pra LSDM-ja, nuk e implementoi as marrëveshjen politike e as atë kadrovike plotësisht, ndërsa në fund – në mënyrë të njëanshme – e thyen marrëveshjen dhe vendosën që ta ndajnë rrugën me ne, duke e përfshirë në shumicën parlamentare një parti tjetër, e cila në kohën kur ne u bëmë pjesë e kësaj qeverie, e quanin aktin e tillë “perversitet politik”. Apo z. Sela? E tash hyrja e ASH-së si definohet në partinë tuaj? Veç mos më thoni se kjo quhet moral politik.
Kjo thyerje e marrëveshjes flet shumë, fatkeqësisht flet keq, për LSDM-në dhe jo vetëm për atë si parti, si subjekt që nuk i bëhet vonë që i thyen marrëveshjet dhe nuk i respekton ata që ia kanë shpëtuar jetën politike në kohën që ishin në vdekje klinike, por kjo flet shumë keq edhe për një vend që synon vlera europiane. Nëse LSDM-ja gjykon se standardet europiane janë nëpërkëmbja e marrëveshjeve, ky është lajm shumë i keq për Maqedoninë e Veriut.
E derisa jam këtu, duke jua rikujtuar se – përkundër mirësjelljes dhe korrektësisë sonë – partnerët tanë të deridjeshëm e tejkaluan edhe vijën e fundit etike dhe nuk patën durim ta presin as vendimin tonë të Kuvendit Qendror, që flet edhe më keq për moralin e tyre politik. Të të vijë keq se me kë ke bashkëpunuar deri dje.

Të nderuar deputetë, ky kryeministër ka propozuar të shkarkohet ministri i Shëndetësisë, Dr. Bekim Sali, që – për hir të se vërtetës – është ministri i parë në këtë resor pa asnjë skandal korruptiv dhe, e dyta, ai është ministri që do të mbahet mend për 9 milionë eurot investime në aparaturën shëndetësore diagnostifikuese, por edhe ministri që – pas shumë viteve letargji në shëndetësi – ofroi zgjidhje për ndryshimin rrënjësor të sistemit shëndetësor, madje pa shpenzuar asnjë denarë nga qytetarët. Nëse kjo është arsyeja që e kërkoni shkarkimin e tij, ne jemi të nderuar. Besoj se me punën e tij edhe një kohë të gjatë do të jenë të lumtur mjekët që falë tij do të marrin rroga më të larta, do të jenë të lumtur pacientët, të cilëve pas shumë vitesh ua ka përditësuar listën pozitive të barnave, do të jenë të lumtur studentët e diskriminuar të fakulteteve të mjekësisë jashtë Shkupit, veçmas ata të Universitetit të Tetovës, madje do të jenë të lumtur edhe qytetarët e Kërçovës që për herë të parë dikush u kujdes të sigurohet buxhet për ndërtimin e spitalit që ka mbetur në harresë më shumë se njëzet vjet.
Ju keni propozuar ta shkarkoni ministrin e Shoqërisë Informatike, kolegun tim Admirim Aliti, që projektin e digjitalizimit e ka shtyrë për një vit më shumë se krejt vitet e qeverisjes së LSDM-së e BDI-së nga viti 2017 e këndej.
Ju keni kërkuar ta shkarkoni ministrin që – për herë të parë në historinë e këtij vendi – ka ofruan zgjidhje për organizimin e mërgatës sonë, siç është Dr. Xhemail Çupi
Juve jua kanë zënë këmbët edhe zëvendësministri i Bujqësisë, Abdylshqyr Abedini, që me punën e tij – ndonëse mjaft të kufizuar – ka dëshmuar kompetencë, transparencë dhe përkushtim, që sot vlerësohet nga të gjithë bujqit e vendit tonë, si dhe ju keni kërkuar ta shkarkoni pedagogun universitar Dr. Lulzim Aliun, që me gjithë kufizimet nga ministri i Arsimit, ka qenë shembull i devocionit në detyrë, sepse ai vjen nga fusha e arsimit.
Me këto kuadro dhe drejtorët që i kemi pasur, pas një viti qeverisje ne kemi lënë pas vetes dhjetëra projekte të suksesshme dhe, pos kësaj, sot jemi këtu për t’ju thënë se krejt kjo ka ndodhur pa asnjë aferë për korrupsion. Madje, kur jemi të lufta kundër korrupsionit. AlternAtivA është partia e parë dhe e vetme që ka propozuar amendament kushtetues për luftën kundër korrupsionit dhe ky është bërë kryeidentiteti ynë politik.

Të nderuar qytetarë dhe ju kolegë, pavarësisht këtij amoraliteti politik të këtij kryeministri dhe partnerëve të tij, më lejoni që këtu ta falënderoj secilin funksionar veç e veç, që ka lënë gjurmë suksesi në shërbimin e tij ndaj qytetarëve duke mos bërë dallime etnike, politike, religjioze a gjinore.

Unë jam e sigurt se ashtu siç ky kryeministër nuk është skuqur kur ka kërkuar të përjashtohet Alternativa nga qeveria, as tash nuk e ka vështirë të shpikë arsye për shkarkimin e këtyre kuadrove, por unë prandaj e kam marrë fjalën që t’ju bëj thirrje juve, kolegë deputetë, që mos të manipuloheni dhe të viheni në shërbim të një agjende që ka për qëllim shpëtimin e karrierës së dy personave që sot u rrezikohet karrigia, kryeministri Kovaçevski dhe zëvendëskryeministri Grubi. Natyrisht, këtu është Aleanca për Shpëtimin e Artan Grubit që të mos e lejojë këtë, por unë i bëj thirrje ndërgjegjes suaj që të gjykoni drejt dhe me vullnetin tuaj.

Po e përfundojë fjalën time duke uruar që në këtë sallë të mbretërojë dinjiteti dhe jo amoraliteti, që në këtë kuvend të popullit të mbretërojë urtësia dhe jo grykësia, që në këtë tribunë të qytetarëve të mbretërojë nderimi dhe jo poshtërimi. Se a do të ndodhë kjo, sigurisht që është në dorën tuaj. Unë vazhdoj të besoj se nuk janë të gjithë këtë kuvend si Dimitar Kovaçevski, Artan Grubi dhe Arben Taravari.

Ju faleminderit shumë!

(Fjalim në seancën e Kuvendit,
Shkup, 13.02.2023)