May 5, 2024
Maqedoni

Daim Luçi mbetet zv/ministër i Kulturës edhe pas daljes së Alternativës

Në mesin e kuadrove të Alternativës nuk do të shkarkohet zv/ministri i Kulturës, Daim Luçi, njoftoi TV Telma. Sipas këtij televizioni, spekulohet se Luçi mbetet sv/Ministër si njeri i afërt me deputetin Skender Rexhepi-Zejd, i cili vitin e kaluar u largua nga Alternativa dhr vepron si deputet i pavarur.
Zejd ka njoftuar se do të votojë qeverinë e re të zgjeruar me ASH edhe pse ka thënë se ka vërejtje.

Ademi: Ka shumicë të mjaftueshme për të votuar për rikonstruimin e Qeverisë

Deputeti dhe koordinatori i grupit parlamentar të Bashkimit Demokratik për Integrim, Arbër Ademi, sot në deklaratë për media nga Kuvendi pohoi se ka shumicë të mjaftueshme për të votuar për rikonstruimin e Qeverisë.

“Sigurisht që ka një shumicë të mjaftueshme, edhe më shumë se sa duhet për të votuar për rikonstruimin e Qeverisë. Kjo në thelb do të thotë përshpejtim i proceseve reformuese, veçanërisht përshpejtim i reformave në drejtësi, shtet i së drejtës, institucione më të fuqishme, mbi të gjitha një Parlament funksional. Dëshira dhe ftesa jonë është që Alternativa dhe Besa dhe të gjithë të tjerët të bashkohen në krijimin e një fronti të përbashkët evropian”, tha Ademi.

Ademi theksoi se të gjitha çështjet që dalin nga procesi i marrëveshjeve të lidhura me Bashkimin Evropian janë dhe mbeten prioritet i kësaj shumicë parlamentare e cila zgjerohet.

Snopçe: Nuk ka dyshim se janë siguruar votat e nevojshme për rikonstruim të Qeverisë

Deputeti dhe koordinatori i grupit parlamentar të Aleancës për Shqiptarët, Halil Snopçe në konferencën e sotme për media theksoi se është i bindut se janë siguruar votat e nevojshme për rikonstruimin e Qeverisë.

“Ne kemi marrëveshje mes partnerëve të rinj të koalicionit. Ne jemi të bindur se ata numra janë siguruar. Nuk besoj se dikush do të hynte në avantura të tilla pa u siguruar ata numra. Megjithatë, ajo që ne si Aleancë për Shqiptarët mund ta garantojmë është se tetë votat tona do të jenë ‘për’. Për këtë mumdemi me garanci të themi. Megjithatë, nuk kam dyshim se numrat janë siguruar. Këtu nuk ka dyshim”, tha Snopçe.

Duke u përgjigjur në një pyetje të gazetarëve rreth vlerave të cilat i ofron Aleanca për Shqiptarët si partner i ri qeveritar, Snopçe tha se një vlerë është të japin mbështetje me qëllim që Qeveria të funksionojë dhe me kapacitetet të cilat i kanë të bëjnë përpjekje që të instalohen “vlera të drejta dhe të vërteta”.

“Edhe kuadrot që propozuam si ministra janë jashtëzakonisht profesionistë, të cilët janë të dëshmuar në profesionet e tyre. Në sferat që ata do të udhëheqin do të kemi mundësi të shohim ministri cilësore, vendime cilësore dhe ligje cilësore. Unë jam i bindur për këtë, duke ditur personelin që kemi propozuar. Ne do të vazhdojmë të jemi kritikë në ato dikastere, në ato pjesë që do të vazhdojnë të jenë jofunksionale. Ne do të jemi kritikë edhe ndaj ministrave tanë nëse nuk e realizojnë atë që premtojnë”, theksoi ai.

Snopçe theksoi se është shumë me rëndësi që kjo Qeveri të jetë funksionale dhe të shfrytëzohet viti 2023 për procesin e integrimeve evropiane.

“Është shumë e rëndësishme që kjo Qeveri të jetë funksionale. Nëse qeveria është funksionale, atëherë mund të ketë shpresë. Ndërsa, nëse shkojmë në zgjedhje të parakohshme, historia mund të përsëritet, siç na ndodhi në vitin 2008. Kemi ndikime të ndryshme në vendin tonë. Disa anketa në vendin tonë janë shqetësuese. Gjëja më e rëndësishme është të përdorim vitin 2023 për kursin tonë të integrimit evropian, i cili është garancia e vetme për të ardhmen tonë. Në të kundërtën, gjithçka mund të ndodhë”, tha Snopçe.