Rajon - Botë

Demokrati Eric Adams zgjidhet kryebashkiak i New Yorkut

Ish-kapiteni i policisë Eric Adams nga radhët e Partisë Demokratike fitoi zgjedhjet për kryebashkiak të qytetit të New Yorkut në SHBA pasi mposhti rivalin republikan Curtis Sliwa, transmeton Anadolu Agency (AA).

Pasardhësi i Bill de Blasio, Adams do të jetë kryebashkiaku i dytë me ngjyrë në historinë e qytetit më të populluar të vendit.

Fitorja e Adams-it u paralajmërua nga Associated Press 10 minuta pas mbylljes së qendrave të votimit në orën 21:00 sipas kohës lokale, raportoi “The New York Times”.

“Sonte ne festojmë, sepse nesër do të fillojmë me punë!”, shkroi Adams në Twitter.

Adams kishte fituar zgjedhjet paraprake demokrate për kryetar bashkie në korrik. Ish-kapiteni 61-vjeçar i policisë do të marrë detyrën më 1 janar 2022.