May 25, 2024
Maqedoni

Kurti në BBC: Nuk do ta lejoj bosnjëzimin e Kosovës qofsha në pushtet, ose opozitë!

Kryeminsitri, Albin Kurti, ka deklaruar se nuk do ta lejojë bosnjëzimin e Kosovës, qoftë [Kurti] në opozitë apo në pushtet.

Këto komente Kurti i bëri në një intervistë për BBC, në emisionin Hard Talk.
“Kur nuk u zbatua Asociacioni i Komunave me shumicë serbe në Kosovë, asnjë serb nuk protestoi kurrë. Në vitin 1991, më 26 prill, 14 komunat me shumicë serbe në Bosnje u bashkuan me asociacionin e tyre, më 9 janar 1992 shpallën pavarësinë, më 28 shkurt 1992 morën kushtetutën e tyre dhe më në fund 14 dhjetor 1995 në Dejton (qytet në Ohio të SHBA), morën njohjen ndërkombëtare e tyre. Ata duan ta përsëriain Bosnjën në Kosovë. Dhe nuk do ta lejoj këtë”, ka deklaruar Kurti, transmeton Telegrafi.

Kurti ka potencuar se Kosova nuk e ka prioritet dialogun Kosovë-Serbi për normalizimin e marrëdhënieve, pavarësisht se, sipas tij, kjo çështje nuk do të duhej të neglizhohet.

Sipas tij, qeveria aktualisht po fokusohet në zhvillimin ekonomik të vendit, në sundimin e ligjit kundër korrupsionit dhe gjithashtu me pandeminë e coronavirusit. Ndërsa dialogu me Serbinë renditet si prioritet në vendin e katërt, sipas agjendës së tij.

“Ne fituam zgjedhjet e 14 shkurtit me një fitore të favorshme me prioritet për pune. Nuk dua të neglizhoj normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, por zhvillimi ekonomik në një anë dhe sundimi i ligjit në anën tjetër, gjithashtu dhe pandemia, do të thotë se dialogu me Serbinë është në vendin e katërt në agjendën tonë të shtet-ndërtimit demokratik për republikën tonë të pavarur”, ka thënë Kurti. /Telegrafi/