July 27, 2024
Maqedoni

Dehari refuzon, Bujar Osmani pranon të jetë kandidat për president

Dehari konfirmon se ishte propozuar si kandidat për president

Agjencia e lajmeve INA dje bëri të ditur se kryetari i Kërçovës, Fatmir Dehari ishte një nga propozimet e bëra në BDI si kandidat për garën për president në Maqedoninë e Veriut.

Ai sot në një prononcim për TV21 tha se emri i tij për kandidat për president është lakuar në parti pasi ka qenë propozim i ish-ushtarëve dhe eprorëve të UÇK-së, përcjell TV21. Por, Dehari tha se personalisht nuk i pëlqejnë misionet e pamundura.

“I vetmi moment që më gëzon është mbështetja që më japin sidomos aktivistët, ushtarët dhe eprorët, por duke e ditur gjithmonë edhe qëndrimin tim se misionet e pamundura mua edhe nuk më pëlqejnë fort”, tha për TV21, Fatmir Dehari.(INA)

Bujar Osmani kandidat për garën për president, këtë lajm të madh do ta thotë nesër Ahmeti

Ministri i jashtëm Bujar Osmani do të jetë kandidati i BDI-së për garën presidenciale të 24 prillit.

Ky është edhe lajmi i madh që tashmë e ka paralajmëru kjo parti përmes një fushate me posterin e Ali Ahmetit me porosinë: Ali Ahmeti nesër sjell lajmin e madh!

Osmani u bë i ditur për INA dy ditë më parë, ndërsa si emra të propozuar ishin edhe Fatmir Dehari, kryetar i Kërçovës, por edhe emra tjerë.

Me zyrtarizimin e Osmanit tashmë shqiptarët do të përzgjedhin mes tij dhe kandidatit të opozitës shqiptare VLEN, Arben Taravari.(INA)