Mustafa Dauti zëvendësdrejtori i Drejtorisë së Doganave të Republikës së Maqedonisë së Veriut mori pjesë në takimin dypalësh të nivelit të lartë me delegacionin e Drejtorisë Doganore të Republikës së Kroacisë, të kryesuar nga drejtori Mario Demiroviq, ku u konfirmua mbështetja e fuqishme e Kroacisë ndaj proceseve eurointegruese të vendit dhe u theksua rëndësia e thellimit të bashkëpunimit institucional ndërmjet dy administratave doganore.

Në takim u vlerësua progresi i arritur në zbatimin e reformave në fushën e Bashkimit Doganor, luftës kundër krimit të organizuar, bashkëpunimit rajonal dhe forcimit të ekonomisë. U theksua se fillon një cikël i ri bashkëpunimi, në kuadër të të cilit ekspertët e administratës doganore kroate do të ndajnë përvojat dhe praktikat më të mira për avancimin e kapaciteteve institucionale dhe harmonizimin me standardet evropiane.

Dauti theksoi se përvoja e Kroacisë është veçanërisht e rëndësishme për zbatimin efektiv të Ligjit të ri Doganor, implementimin e sistemit për gjurmimin e produkteve të duhanit, shkëmbimin e të dhënave me Administratën Tatimore, si dhe për forcimin e mekanizmave për luftën kundër ekonomisë gri dhe aktiviteteve ilegale.

Në takim u prezantuan edhe rezultatet konkrete të arritura nga Drejtoria e Doganave, ku vetëm deri në muajin prill të këtij viti është regjistruar rritje e të ardhurave të mbledhura prej 26.5 milionë euro krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Gjithashtu, është shënuar rritje e numrit të kallëzimeve penale, me 69 kallëzime të dorëzuara kundër 257 personave fizikë dhe 77 personave juridikë.

Mustafa Dauti vlerësoi se këto rezultate janë dëshmi e përkushtimit të fortë të Drejtorisë së Doganave ndaj reformave, transparencës dhe sundimit të ligjit, duke kontribuar drejtpërdrejt në krijimin e kushteve më të favorshme për zhvillimin e biznesit dhe forcimin e konkurrueshmërisë së ekonomisë së Maqedonisë së Veriut.

sqShqip