May 25, 2024
Lajmet e rejaMaqedoni

“Çudirat” e Maqedonisë, panelet mbi shkollë vendosen në anën veriore, aty ku nuk i kap dielli

Në kulmin e shkollës së mesme “Koço Racin” në Veles fotovoltaikë janë vendosur edhe në anën veriore, ani pse dihet se në këtë mënyrë arrihet efekt minimal nga instalimi i tyre, gjegjësisht prodhohet shumë pak rrymë – komentojnë qytetarët në Facebook, ku kanë publikuar fotot e çatisë së gjimnazit.

Shkolla e mesme “Koço Racin” nga Velesi, si shumë institucione të tjera publike, vendosën panele fotovoltaike për të plotësuar nevojat e tyre apo për të ulur faturën e energjisë elektrike pas daljes së shkollave nga tregu i rregulluar energjetik. Por për shkak të gabimit të projektit apo kontraktorit, efekti do të jetë minimal, transmeton Lideri.mk.

Deputeti i LSDM-së nga Velesi dhe ish-kandidati për kryetar komune, Dr. Nenad Kociq ka postuar një fotografi të paneleve në profilin e tij në Facebook dhe ka pyetur “kush është ai i mençur që ka vendosur gjysmën e paneleve në anën e gabuar veriore”.

“Fotovoltaikët që tregojnë veriun?” Me fonde të Qeverisë dhe Ministrisë së Arsimit, komunat vendosin panele fotovoltaike për prodhimin vetanak të energjisë elektrike nëpër shkolla. Kush është ai i mençur që vendosi pothuajse gjysmën e paneleve me pamje nga veriu? A është i gabuar projekti bazë apo kontraktori e di punën e tij aq mirë”- ka pyetur Kociq me ironi.

Ai më vonë në një koment ka shpjeguar se, sipas informacioneve të tij, projektin bazë e ka bërë një konsulent i shkollës dhe projekti fillestar nuk ka qenë aspak i tillë.

“Duket se dikush nuk e di se çfarë është veriu e çfarë jugu”- shkruan Kociq.