May 21, 2024
MaqedoniOpinion

Çdo 17 Shkurt i kujtoj dimrat e viteve 1994 dhe 2008

Shkruan: Vullnet Ameti
Janë dy momente historike ku shqiptarët njëzëri dhe masivisht rendën pas IDEALIT për Liri dhe Dije.

Në shkrimin “Amarcord në çdo 17 Dhjetor” e kam shënuar: “Në analet e luftërave të fituara përgjatë historisë, Universiteti i Tetovës dhe pavarësia e Kosovës qëndrojnë si fitoret më të mëdha për kombin shqiptar.”

Rrjedha jonë kombëtare i ka pasur të shpeshta dhembjet, mundimet, përpjekjet dhe sakrificat për një lartësim kombëtar, por të rralla momentet e triumfeve që reflektojnë përgjithmonë në jetën tonë kombëtare.

Kosova dhe Universiteti i Popullit janë raste pa precedentë, atipike dhe “sui generis” në histori. Të dyja ishin “ilegale” për agresorët dhe legale për ata që nuk kërkonin asgjë më shumë se Liri dhe Dije.

Janë dy episode ku historia mund të tregohet vetëm përmes shembujve, fakteve, fotografive, ngjarjeve dhe protagonistëve që, në një formë a në një tjetër, lanë gjurmë të pashlyeshme në historinë e kombit tonë.

Universiteti i Tetovës, shikuar nën optikën mikro, ishte shëmbëlltyra se çfarë do të ndodhte me Kosovën nën optikën makro.
Më pas, përveç historisë dhe personazheve, që i lidhnin këto dy episode të largëta në kohë, si për çudi, u takuan dy ngjarjet në datën e 17 SHKURTIT, njëra që na kujton rezistencën dhe luftën për Dije dhe Dritë, kurse tjetra që na kujton luftën për Liri dhe Paqe.

Pas themelimit të Universitetit të Tetovës, pavarësia e Kosovës përgjithmonë i flaku tutje episodet tragjike. Shqiptarët tashmë i kishin fituar të gjitha luftërat: luftën për dije me prijës Fadil Sulejmanin dhe luftën për liri me prijës Adem Jasharin – si dy IKONA me aureolë përjetësie, të cilët takohen në çdo 17 shkurt…

Teksa e shkruaja këtë shkrim, më faniteshin ndodhitë që përjetuam, por edhe personalitetet mbi supet e të cilëve, në kohëra të caktuara, rëndoi pesha e një kombi të tërë, që Universiteti i Tetovës, me bujarinë karakteristike në ADN-në e tij, i ka afirmuar në vazhdimësi.

E ka afirmuar rolin e pacifistëve dhe personaliteteve nga bota e artit, kulturës, shkencës dhe diplomacisë, qoftë të atyre që janë mes nesh, qoftë të atyre që i takojnë përmasës së amshimit.

Personalitetet dhe figurat madhore, nëpërmjet gamës së gjerë të përvojës dhe intelektualizmit të tyre, i dhanë shumë këtij kombi, nga Fehmi Agani, tek Adem Demaçi e deri te Rexhep Qosja.

Nuk është e rastësishme kjo ndërthurje. Universiteti i Tetovës, gjegjësisht Katedra e Sociologjisë, për nder të veprimtarit të shquar, e themeloi Klubin e Sociologëve “Fehmi Agani”.

Adem Demaçi, si veprimtar i shquar, radhitet te laureatët e Universitetit me titullin “Doctor Honoris Causa”. Profesor Rexhep Qosja, si mik i çmuar dhe përkrahës i madh i tempullit tonë, zgjedh gjithmonë që idetë t’i shprehë dhe t’i artikulojë në mesin tonë.

Pikërisht me këta personalitete filloi edhe akademizimi i mendimit modern shqiptar dhe vendosja e çështjes kombëtare në shkallë më të lartë.

Pra, falë atyre që guxuan në rrethana të pazakonta të krijonin një konstelacion idesh e paradigmash nëpërmjet të cilave i shfaqën konturat e një stili të ri (embrional) mendimi.

Më vonë, pas ideve e tyre, u rreshtuan figura dhe personalitete të mëdha. Nëse të parët guxuan të jepnin ide, të dytët guxuan t’i praktikonin, sepse, tek e fundit, IDEALET kërkojnë që teoria të bëhet praktikë. Pra, idetë të hidhen në veprim që të realizohen.

Jam i vetëdijshëm që kjo amalgamë, ky kombinim heterogjen personalitetesh, mund të haset në diversitetin interpretativ ose mund të duket anakronik, por siç e thotë edhe Kanti te “Metafizika e moralit”, “detyrimi është nevoja e një veprimi të lirë nën urdhrin kategorik të arsyes”.

Kësisoj, arsyeja më ka urdhëruar që gjithmonë t’i afirmoj personalitetet të cilëve u detyrohemi shumë.

Ky shkrim duket si një randonnée, si një ndërlidhje figurash e ngjarjesh, por detyra jonë është që t’i qasemi historisë nga rrënjët dhe jo nga degët, sepse e VËRTETA qëndron te rrënjët dhe jo te degët, te veprat dhe jo te fjalët, te realiteti dhe jo te fantazitë.

Këtë meditim po e përmbyll me vargjet e të madhit Ali Podrimjes “Unë, biri yt” tek i cili gjeta reflektimin dhe rrugën e mundimshme të Kosovës dhe Universitetit tonë.

Për ta treguar dashurinë e pa kusht, idealin dhe forcën që kemi për Kosovën dhe Universitetin vargjet e tij i ktheva në himn për tempullin tonë.

“Unë, biri yt, Universitet
t’i njoh dëshirat e heshtura,
t’i njoh ëndrrat,
t’i njoh vuajtjet,
ta njoh rezistencën
t’i njoh sukseset,
t’i njoh dëshmorët,
ta di historinë,
t’i di edhe triumfet e bardha dhe veprat e ndriçme,
t’i di planet ugurzeza karshi teje dhe gjakun që të vlon në gji,
dallgën që të ka rrahur deri në dorëzim,
por ti shpërtheve si vullkan:
më mirë se kushdo tjetër të njoh, UNIVERSITET.
Unë biri yt.”

Gëzuar e urime të gjithë studentëve dhe stafit të Universitetit të Tetovës 29-vjetorin e ligjeratave të para dhe të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës 16-vjetorin e Pavarësisë!

𝐏𝐫𝐨𝐟. 𝐃𝐫. 𝐕𝐮𝐥𝐥𝐧𝐞𝐭 𝐀𝐦𝐞𝐭𝐢