Ka nisur sanimi i hyrjes së Çarshisë së Vjetër të Shkupit, ku pllakat e dëmtuara dhe të thyera po zëvendësohen me pllaka të reja travertini.
Kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski, ka inspektuar sot punimet, duke theksuar se rregullimi i hyrjes është i rëndësishëm për zejtarët, banorët dhe turistët që vizitojnë këtë pjesë historike të qytetit.
Sipas tij, qytetarët prej kohësh kanë ngritur shqetësime për gjendjen e keqe të pllakave, të cilat përbëjnë pamjen e parë për vizitorët.
„Çarshia është historia e gjallë e Shkupit, një nga simbolet e qytetit dhe ndër vendet e para që vizitojnë turistët. Prandaj, është e rëndësishme që edhe hyrja e saj të jetë e rregulluar dhe dinjitoze“, deklaroi Gjorgjievski.
Ai theksoi se ruajtja e Çarshisë së Vjetër është përgjegjësi ndaj trashëgimisë kulturore dhe brezave të ardhshëm.

