Bytyqi: LSDM-ja, e gatshme për zgjidhjen e statusit të ish UÇK-së
LSDM-ja është e gatshme për zgjidhjen e statusit të ish UÇK-së përmes një programi ku të dyja palët pjesëmarrëse në konfliktin e 2001-shit do të trajtoheshin në mënyrë të barabartë, deklaroi nënkryetar i socialdemokratëve Fatmir Bytyqi. Ai hodhi poshtë pretendimet e partive politike shqiptare se LSDM-ja është kundër zgjidhjes. Bytyqi tha se as BDI-ja edhe as ndonjë parti tjetër nuk ka ofruar në tryezë ndonjë propozim për zgjidhje.
““Ne në LSDM themi se nuk ka ardhmëri pa pajtim. Fatkeqësi është që dikush tjetër asnjëherë nuk është ulur që të flet për pajtim…ne jemi të hapur për çfarëdo teme…unë jam diku rreth 3 vite zv.kryeministër po aq nënkryetar i partisë deri tani nuk kam parë një propozim të tillë, siç nuk kam pasur një propozim të qëndrueshëm për zgjidhjen e pjesëtarëve të cilët kanë qenë në mbrojtje të them kushtimisht të interesave të shtetit në ato kohë. Kështu që kur të ketë zgjidhje të qëndrueshme edhe për njërit edhe për tjerët do të ulet do të diskutohet dhe kjo është më mirë të bëhet përmes një programi gjithëpërfshirës të pajtimit sepse njëherë e përgjithmonë duhet të lëmë anash, mbrapa atë që ka ndodhur por të shohim para, sepse jemi të thirrur që të krijojmë ardhmëri”
LSDM-ja thotë se ka siguruar 2/3 e votave për ndryshimet kushtetuese. Nënkryetar i LSDM-së Fatmir Bytyqi në Programin 200 në Alsat që do të transmetohet në ora 22:20 tha se jo vetëm votat e deputetëve shqiptarë, por të sigurta janë edhe votat e nevojshme nga VMRO DPMNE-ja. Kjo sipas Bytyqit do të dëshmohet shumë shpejt pasi amendamentet të dorëzohen në kuvend.
“Ne themi se kemi 2/3 dhe kjo do të dihet shumë shpejtë sapo grupi i punës për ndryshimet kushtetuese të sjellë propozimin për ndryshimet kushtetuese para qeverisë. Ne si qeveri këtë do ta dërgojmë në parlament që të fillojmë ndryshimet kushtetuese dhe jemi të bindur se kemi 2/3 pra 80 deputetë…”, theksoi zv/kryeministri Fatmir Bytyqi, në Programin 200 në Alsat.
Pra, jeni të bindur se i keni dhe votat e VMRO-së?
“Të gjithë aktorëve të ndryshëm, sepse mendoj se koha e kalkulimeve ditore politikë dalëngadalë po zvogëlohet edhe ata në anën tjetër e shohin se opsion tjetër për Republikën e Maqedonisë nuk ka”, theksoi zv/kryeministri Fatmir Bytyqi, në Programin 200 në Alsat.
LSDM, BDI dhe ASH, me lista të përbashkëta në zgjedhje?
LSDM-ja, BDI-ja dhe Aleanca për Shqiptarët mund të marrin pjesë me lista të përbashkëta në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Nënkryetar i LSDM-së Fatmir Bytyqi në Programin 200 në Alsat tha se nuk përjashtohet mundësia për një koalicion parazgjedhor mes këtyre partive që do të jenë pjesë e Frontit proevropian.
“Ne jemi të sigurt se do të udhëheqim një koalicion që është në frymën evropiane. Nëse ajo do të rezultojë të jetë koalicion më të gjerë më lista të përbashkëta apo lista të veçanta, por në të njëjtën frymë për rrugën evropiane nuk e di, do të jenë qëndrime të organeve të partisë. Por duhet të bëhet një distinkcion i pastër mes atyre që janë pro rrugës evropiane dhe atyre që na shpien prapa dhe janë pro rrugëve të tjera joevropiane…pra do të shkojmë si një bllok me lista të përbashkëta ose me lista të veçantë por si një bllok”, deklaroi zv/kryeministri dhe nënkryetar i LSDM-së Fatmir Bytyqi në Programin 200 në Alsat.