May 15, 2024
Maqedoni

Bytyqi do të vizitojë marketet për të kontrolluar çmimet

Pas ankesave të qytetarëve për rritje të çmimeve të produkteve në markete, pas përfundimit të masës për çmime të kufizuara, zëvendëskryeministri, Fatmir Bytyqi, paralajmëron se do të vizitojë vetë marketet dhe nëse hasë parregullsi këtë do ta adresojë në Komisionin për mbrojtje të konkurrencës, nga i cili thonë se nuk ka bazë të mjaftueshme për akuzat se ka keqpërdorime.

“Ju bëj ftesë që të shtunën të vizitojmë 6 markete dhe të shohim çmimet e një apo 2 produkteve. Nëse hasim në çmime të rritura atëherë të hënën jemi në komision. Herën e parë para 6 muajsh në të vërtet kishte indikacione për marrëveshje për rritje të çmimeve, tani duhet të shohim nëse ndodh e njëjta dhe nëse ndodh në vetëm një market. Mund të ketë arsye të ndryshme, por nëse ndodh në të gjitha marketet në periudhë të njëjtë për produkte të caktuara, atëherë ka indikacione, por deri tani nga raportet e Inspektoratit të Tregut nuk ka.”, – deklaroi zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi për TVM2.

Këto komente zëvendëskryeministri Bytyqi i bëri gjatë pjesëmarrjes në nënshkrimin e memorandumit për bashkëpunim mes Drejtorit për Zonat e Zhvillimit Industrial Teknologjik dhe Organizata e Tregtisë së Jashtme Japoneze.

Me këtë Memorandum parashihet të realizohen aktivitete të përbashkëta për promovimin e mundësive për investime ndërmjet dy vendeve dhe për avancimin e bashkëpunimit ndërmjet kompanive japoneze dhe atyre të Maqedonisë së Veriut në disa sektorë.