Banorët e dhjetë vendbanimeve të Komunës së Brvenicës votojnë sot për kryetar të komunës, në zgjedhjet e parakohshme lokale, pasi më 23 qershor të vitit 2026, në moshën 58-vjeçare, ndërroi jetë kryetari i atëhershëm i komunës, Jovica Ilievski.

Vendvotimet hapen në orën 7:00 dhe votimi zgjat deri në orën 19:00. Në Listën Zgjedhore për zgjedhjet në Brvenicë janë regjistruar 16.256 votues, prej të cilëve 449 janë përkohësisht të punësuar jashtë vendit, ndërsa në burg ose në paraburgim ndodhen nëntë votues.

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) publikon në mënyrë të njëpasnjëshme rezultatet fillestare të zgjedhjeve, të pranuara në mënyrë elektronike, ndërsa rezultatet e bazuara në të dhënat nga procesverbalet e Komisionit Komunal të Zgjedhjeve (KKZ) publikohen brenda 12 orëve pas përfundimit të zgjedhjeve.

KKZ-ja i publikon rezultatet fillestare të zgjedhjeve brenda shtatë orëve pas përfundimit të votimit, në bazë të të dhënave nga këshillat zgjedhorë, dhe i afishon ato në tabelën e shpalljeve në komunë, si dhe i njofton mediat publike.

" "

KSHZ-ja i publikon rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve menjëherë, por jo më vonë se 24 orë nga dita kur ato bëhen përfundimtare.

Në raundin e parë të votimit, kandidat për kryetar komune zgjidhet ai që merr shumicën e votave të votuesve që kanë votuar, me kusht që në zgjedhje të kenë dalë të paktën një e treta e numrit të përgjithshëm të votuesve të regjistruar në Listën Zgjedhore. Nëse në raundin e parë të zgjedhjeve për kryetar komune nuk dalin të paktën një e treta e votuesve të regjistruar në Listën Zgjedhore për komunën përkatëse, e gjithë procedura zgjedhore përsëritet.

sqShqip