Kosovë

Brenda 4 vitesh, Kurti synon marrëveshje finale me Serbinë dhe njohje nga 5 shtetet e BE-së

Në listën e prioriteteve të Qeverisë, Albin Kurti dialogun e ka lënë kah fundi. Kjo pjesë e rëndësishme e kryesore e politikës së jashtme që Kurti edhe ashtu tha se nuk do ta trajtojë me urgjencë tregon se si do t’i qaset shefi i ekzekutivit në katër vitet e ardhshme bisedimeve me Serbinë. Planprogrami qeverisës flet shkurt për normalizim të marrëdhënieve ku Kosova bisedon për njohje reciproke me Aleksandër Vuçiqin, njohje nga 5 shtetet e BE-së dhe garanci për anëtarësim në OKB, shkruan Gazeta Express.

Në 57 faqe program që Albin Kurti ka hartuar me ministrat për katër vitet e ardhshme, fjala dialog përmendet veç 13 herë.

Kur përmendet dialogu nuk nënkuptohet madje gjithmonë se fjala është për dialogun Kosovë-Serbi. Diku flitet për dialog në aspektin ekonomik për përmirësimin e ndërmarrësisë e Inovacionit, e diku për sport e për çështje tjera. Krejt këto në listën e programit janë përmendur para bisedimeve Kosovë-Serbi.

Për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë, qeveria flet ka fundi i programit.

Në një faqe A4, Kurti thotë se Qeveria të cilën ai e udhëheq do të angazhohet me synim normalizimin afatgjatë të marrëdhënieve dypalëshe me Serbinë.

“Dialogu me Serbinë Qeveria e Kosovës angazhohet në dialogun me Serbinë me synim normalizimin afatgjatë të marrëdhënieve dypalëshe. Dialogu me Serbinë zhvillohet për adresimin e çështjeve ndërshtetërore dhe fqinjësisë së mirë, dhe ka orientim kryesor përfitimet e qytetarëve nga rezultatet e dialogut politik”, thuhet në programin e Qeverisë.

Sa i përket marrëveshjes finale Prishtinë-Beograd, Qeveria Kurti 2 thotë se kjo marrëveshje do të përfshijë disa çështje të pazgjidhura, si njohja reciproke.

Pos njohjes reciproke, Qeveria zotohet për njohje nga pesë shtetet e BE-së që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës dhe garancë për antarësim në OKB.

“Marrëveshja finale e synuar do të ketë brenda të gjitha çështjet e pazgjidhura që nga sukcesioni i ish Federatës Jugosllave në të cilën Kosova ishte element konstituiv. Qeveria e Kosovës do të marr pjesë në dialogun me Serbinë me parime të qarta dhe me qëllimin që marrëveshja finale përveç çështjeve ndërshtetërore do të përfshinë edhe njohjen reciproke mes shteteve, njohjen nga pesë vendet e mbetura të BE-së dhe garancinë për anëtarësim në OKB”, thuhet në programin e Qeverisë.

Në këtë pjesë Qeveria përmend shkurtimisht edhe rolin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“ Përveç rolit ndërmjetësues të Bashkimit Evropian, qeveria e Kosovës e sheh si shumë të rëndësishëm edhe koordinimin e ngushtë me partnerët nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Qeveria e Kosovës konsideron se pjesëmarrja në dialog duhet të bëhet duke u bazuar në përgatitje të mirëfilltë dhe dakordim të përbashkët për temat që duhet të dialogohen. Për këtë proces do të bashkëpunojmë me partnerët ndërkombëtar dhe do të ftojmë të gjitha partitë politike, si dhe do të angazhojmë ekspertë të njohur për të kontribuar në këtë drejtim”, thuhet tutje.

Planprogrami i Qeverisë
Në kuadër të politikës së jashtme, Qeveria thotë se prioriteti kryesor tyre është forcimi i subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës, që do të arrihet përmes përmirësimit të shërbimit të jashtëm, strategjisë së lobimit dhe promovimit diplomatik, kulturor dhe ekonomik.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti kishte refuzuar që të takohet me presidentin serb, Aleksandër Vuçiqin në Bruksel, derisa Josep Borell ka thënë se ishte shefi i qeverisë kosovare që ka kërkuar kohë para nisjes së dialogut.

Sot, ndërkaq është bërë e ditur se Kurti ka planifikuar që para përballjes me Vuçiqin të koordinohet edhe me partitë opozita, të cilat do t’i ftojë në takim./GazetaExpress/