May 15, 2024
Maqedoni

Besimtarët të lumtur për ardhjen e Ramazanit / Myftinia e Shkupit do të shtrojë iftare falas, paraqitja brenda javës

Urime muaji i Ramazanit. Me këto banderola besimtarët musliman dhe myftinia e Shkupit e mirëpresin muajin e Ramazanit, që për besimtarët musliman është muaj më i veçantë nga 11 muajt tjerë të vitit. Qytetarët ndjehen të lumtur që kanë arritur edhe këtë Ramazan. Thonë se vlera e këtij muaji është shumë e madhe por edhe se duhet të jemi të durueshëm dhe të mos veprojmë me nervozë. Qytetarët më në moshë, krahasojnë Ramazanin nga koha e fëmijërisë së tyre dhe periudhës së tanishme.
“Vlerë e madhe është Ramazani. Një Ramazan kemi, nuk janë dy. Ndryshe ka qenë përpara, ka pas muhabet, ka pas lezet. Tash ndryshe nëpër restorante, ashtu rinia e kanë sjellë. S’është si përpara si ne pleqtë si e kemi pasë. Ajo është…”

“Vallai kur vjen Ramazani jam i kënaqur aq shumë, boll që duhanxhinjtë më pak kanë me pi afër meje. E dyta sevape më të mëdhaja janë në Ramazan, kalon koha shumë mirë. Por duhet të jemi të qetësuar, jo të nervozuar, jo me bë probleme. Me një dhomë, me një pjatë, të gjithë lugën me një vend por shumë ma lezet.
Tani thoni se nuk ka lezet se krejt nëpër restorane?
Ja, ja.. Tash krejt nëpër restorante, s’është ajo që duhet të jetë..”
“Ramazani ka shumë vlera. Një prej vlerave është me agjëru muajin e Ramazanit. Kjo është prej shkaqeve që s’më pëlqejnë mua. Shtëpia e ka bereqetin e vet. Me mujt me i ba iftaret në shtëpi është më mirë se në restorant”.

“Ramazani e ka vlerën e vet, lumët ne që e presim. Atëherë ka qenë më mirë. Pse? E ka patur shijen e vet, me një lugë, me një sahan por ka patur vlerë. Tash 100 sahana 100 tanjira, 100 luga dhe s’ka vlerë kurgja dhe në fund hudhet”.
“Normal si çdo besimtar që e përjeton këtë Ramazan, edhe ne e përjetojmë mirë me kënaqësi, por kënaqësia më e madhe është kur i shohim të varfërit gëzohen dhe në sofrat e tyre ka ushqime më të mira”.

“Vlera është shumë e madhe sepse është muaj i dalluar prej krejtve. Nga i gjithë viti është muaji më i dalluar. Aty fitohen sevapet më të mëdhaja. Duhet ta falim namazin, të shkojmë në xhami. Vlerën e ka të madhe sa të duash. Jo më kënaqësi është në shtëpi. E udhëzon të vogëlin, fëmiun, e sheh çfarë bëhet, si punon baba si punon vëllau”.
Imami i xhamisë Isa Beu, Muharrem Ismaili, thotë se besimtarët në Ramazan duhet të reflektojnë me durim dhe buzëqeshje.

“Reflektimi i Agjërimit është një gjë që gjith atë e shohim. Sjelljen e agjëruesit, durimin e agjëruesit, buzëqeshjen e agjëruesit. Unë shpesh e përkujtoj xhematin dhe them, në çdo Ramazan buzëqeshni sepse buzëqeshja nuk e prishë agjërimin. Të qenurit i buzëqeshur gjatë agjërimit është një reflektim i agjërimit tonë. Të qenurit human gjatë agjërimit është një tipar i agjëruesit, të qenurit një njeri social i cili do të shoqërohet me familjen e tij, me farefisin e tij. Tha Muharrem Ismaili, imam në xhaminë “Isa Beu”.

Myftiu i Shkupit, Qenan Ismaili, tregon se çfarë aktivitete do të ndërmarë BFI dhe Myftinia e Shkupit gjatë muajit të Ramazanit. Përpos aktiviteteve gjatë namazeve dhe vendosjen e bilbordeve, ata do të shtrojnë dhe iftare falas për kategori të ndryshme shoqërore.

“Fillimisht iftarin e parë do ta hamë bashkë me nëpunësit fetarë të cilët shërbejnë nëpër xhami. Pastaj kemi një iftar që e realizojmë për personat me nevoja të veçanta, me një tribunë që do ta bashkangjesim me një teolog dhe psikolog. Pastaj do të bëjmë një iftarë bashkë me ata që e mirëmbajnë jetën fetare dhe iftar që e kemi për çdo natë për familjet në nevojë dhe për studentët, por edhe për familjet me jetimë. Mjafton që brenda kësaj jave të paraqiten të bëjmë listat dhe grupet”, tha Qenan Ismaili, myfti i Shkupit-BFI.

Siç njoftoi myftiu Ismaili, pagesa e fitrit këtë vit do të lëvizë nga 200 deri në 500 denarë. Muaji i Ramazanit sivjet shënon 30 ditë, duke filluar nga nesër 11 marsi e përfundon më 9 prill. Më 10 prill, festohet Festa e Fitër Bajramit.