May 4, 2024
Maqedoni

Shtrenjtohet anëtarësia në xhami. Në Shkup është 2500 denarë, në Tetovë arrinë deri në 6000 denarë

Në muajin e shenjtë të Ramazanit, besimtarët myslimanë kryesisht bëjnë edhe pagesat e anëtarësisë dhe obligimeve të tjera fetare. Sivjet anëtarësia në qytetin e Shkupit është rritur në 2500 denarë. Qytetarët të cilët anketuam, thonë se për disa shuma është e lartë e për disa është në rregull.

“Është shumë por çfarë të bëjmë, patjetër të paguhet. Kush ka mundësi e paguan, kush nuk ka….”
“Jo kshyre tash, për standardin tonë janë shumë. Për çdokënd nuk janë por për shumicën janë.”

“Nuk është asgjë. 2500 denarë me i tubu gjatë vitit nuk është kurgja. Prsh, ditën e sodit, njerëzit pijnë nga 2-3 kafe në ditë. Me i dhanë 2500 denarë në vjet për n’xhami, i bie diku 10 denarë në ditë.”

“Për dikë është shumë, por dikë ndoshta jo por kur ta krahasosh për një vit, nga një denar me e nda, kurgja sështë. Ti në Çarshi 100 denarë një kafe po e paguan.”

Pyetëm myftiun e Shkupit, Qenan Ismaili, për çfarë arsye erdhi deri te shtrenjtimi i anëtarësisë. Ismaili thotë se kanë ndërmarë aksion për rregullimin e statusit të punës për çdo nëpunës fetarë, duke i paguar ata me paga duke filluar nga minimalja e shtetit.

“Marë parasysh se nuk mund të bëjmë lëvizje më të mëdha përshkak se nuk mund ta përballojë shoqëria, ne e miratuam në mbledhje që të ketë një lëvizje, qoftë ajo edhe 500 denarë, me çka ne do të lëvizim pak standardin dhe me përkrahjen që e jep muftinia, rroga e një teologu të jetë minimalja e shtetit. Pra aq sa është minimalja e shtetit, nga aq të fillojë rroga e një nëpunësi fetarë”, u shpreh Qenan Ismaili – Myfti i Shkupit.

Myftiu Ismaili shton se në Shkup paguhet 2500 denarë në vit, por në qytetet tjera si Tetova, anëtarësia lëvizë nga 3000 deri në 6000 denarë.

“Harxhimet e xhamisë mbulohen përmes pagesës së anëtarësisë që qyteti nga qytet dallon. Tetova e ka çmimin pak më të lartë, diku 3000-6000 denarë. Gostivari e ka 10 euro në person. Kemi diku 16500 familje që paguajnë anëtarësi në nivel vjetor. Te ne në Shkup është 2500 denarë që i vjen diku 200 denarë në muaj, pagesa e mirëmbajtjes së xhamisë”, shtoi Ismaili.

Siç spjegoi myftiu Ismaili, nëse për harxhimet e xhamive nuk mjaftojnë të hollat e anëtarësisë, të tjerat i mbulon vet Myftinia. Për këtë shkak, sivjet njoftoi se kanë paguar harxhime në shumë prej 70 mijë eurove.