April 29, 2024
Maqedoni

BESA po i “kërcënohet” LSDM-së, ose përkrahja e Kasamit në Tetovë ose krizë qeveritare!

Sjellja dhe koalicionimet e LSDM-së për zgjedhjet lokale, mund të lëkundin raportet midis partnerëve të koalicionit dhe të vënë në pikëpyetje funksionimin e kësaj qeverie, shkruan portali 360 shkallë. Kjo situatë është krijuar pasi që tre partitë e koalicionit nga kampi shqiptar do të dalin me kandidatët e tyre në Pollog.

Por sinjale të qarta ndaj LSDM dhe liderit të saj Zaev vijnë nga Lëvizja BESA. Nga kjo parti kanë thënë se nuk ka logjikë që LSDM si partnere e koalicionit të mos e votoj Bilall Kasamin e Lëvizjes BESA për Tetovën, në të kundërtën do të ketë krizë qeveritare.

“Nuk presim që LSDM të veprojë ndryshe nga ajo që e kemi bërë në zgjedhjet e fundit parlamentare. Nuk ka logjikë politike që votuesit e LSDM në Tetovë të votojnë kandidat tjetër, kur në zgjedhjet e fundit parlamentare votuan si bartës liste të koalicionit kryetarin e Lëvizjes BESA, Bilall Kasami. Çdo vendim tjetër i njëanshëm do të ketë pasoja në kuadër të koalicionit qeverisës”, kanë thënë nga BESA për 360 “shkallë”. Nga kjo parti po ashtu sinjalizuan se mund të prishin qeverinë dhe të shkojnë në variantin e formimit të Qeverisë me opozitën.

Kreu i LSDM-së, Zoran Zaev paralajmëroi se deri në fund të muajit do të bisedojë me kreun e BDI-së, Ali Ahmeti për mundësinë e bashkëpunimit për zgjedhjet lokale, por nuk përjashtoi mundësinë e bashkëpunimit edhe me partnerët e tjerë të koalicionit, duke mos precizuar se me kë dhe në çfarë cilësie. Nga LSDM nuk kanë dhënë ndonjë qëndrim për mesazhet kërcënuese të Lëvizjes BESA. (INA)