May 10, 2024
Maqedoni

Berlini mbështet idenë e integrimit gradual të vendeve kandidate në BE

Berlini mbështet idenë e integrimit gradual të vendeve kandidate në Bashkimin Evropian, para se ato të anëtarësohen zyrtarisht. Sipas ministres së jashtme gjermane Analena Berbok, tani ekziston një konsensus midis anëtarëve për procesin e zgjerimit, dhe kjo duhet të ndodhë sepse, siç thotë ajo, Rusia po vepron në mënyrë imperialiste, dhe dëshiron të destabilizojë Ukrainën, Moldavinë dhe Ballkanin Perëndimor. Berbok vuri në dukje se premtimet e anëtarësimit shkaktojnë vetëm zhgënjim midis kandidatëve.

“Nëse nuk duam që fqinjësia jonë të kthehet në një zonë gri, atëherë duhet t’i vendosim këta njerëz në tryezën tonë menjëherë. Por, duhet të jetë po aq e qartë se kur flasim për integrimin hap pas hapi, nuk do të thotë vetëm përdorim i përfitimeve. Sundimi i ligjit dhe demokracia do të jenë gjithmonë shtylla e Bashkimit Evropian”, tha Analena Berbok – Ministre e Punëve të Jashtme të Gjermanisë.

Sipas kreut të diplomacisë Bujar Osmani, Maqedonia është një shembull që pasqyron dobësitë e procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian. Ai kërkoi përfitime gjatë pranimit që do të ndjehen nga qytetarët, duke përfshirë qasjen në fonde. Megjithatë, ai kërkoi që kjo mënyrë e integrimit gradual të mos bëhet një alternativë ndaj anëtarësimit të plotë.

“Vendet kandidate, ashtu si i plotësojnë disa kritere, ashtu duhet të bëhen pjesë e Bashkimit Evropian edhe para se të anëtarësohen. Kjo do të thotë se nëse Maqedonia e Veriut është 100% e harmonizuar me politikën e jashtme dhe të sigurisë, dhe regjimin e vizave të BE-së, pse atëherë unë nuk rri ulur në tryezën e Këshillit të Ministrave të Jashtëm si vëzhgues, pa të drejtë vote. Do ta mësoj procesin gjatë rrugës, dhe ju do të mësoni se kush jam unë”, u shpreh Bujar Osmani – Ministër i Punëve të Jashtme.

Ministrja e Jashtme sllovene Tanja Fajon, theksoi se ishte koha për të treguar angazhimin e kandidatëve për anëtarësim, por edhe angazhimin e BE-së për të mirëpritur anëtarë të rinj.

“Le t ‘u japim një nxitje vendeve që duan të bashkohen me ne që të jenë vërtet gati. Le të shohim përpara, sepse duhet të përdoret momenti politik për zgjerimin deri në vitin 2030”, tha Tanja Fajon – Ministre e Punëve të Jashtme të Sllovenisë.

Pikëpamjet u shprehën në Berlin në debatin “Një Union më i madh dhe më i fortë”, të organizuar nga diplomacia gjermane ku mori pjesë edhe ministri i jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba, i cili kërkoi që reforma e brendshme e BE-së, të mos përdoret si arsye për të vonuar procesin e zgjerimit. /Alsat.mk