VLEN-i po ndërmerr hapa për zgjidhjen e statusit të mijëra punonjësve që prej vitesh punojnë në institucionet publike me kontrata të përkohshme. Zëvendëskryeministri i parë, Bekim Sali, ka bërë të ditur se përmes një propozim-ligji synohet transformimi i këtyre angazhimeve në marrëdhënie të rregullt pune me afat të pacaktuar.
“Ne nuk e shohim punësimin vetëm si një marrëdhënie formale, por si një çështje që lidhet drejtpërdrejt me sigurinë ekonomike të familjeve, dinjitetin e punonjësve dhe funksionimin e institucioneve publike”, thekson Sali.
Sipas propozimit, personat që i plotësojnë kushtet ligjore do të mund të kalojnë në punësim të rregullt, ndërsa institucionet do të kenë afat prej 90 ditësh nga hyrja në fuqi e ligjit për lidhjen e kontratave ose nxjerrjen e vendimeve përkatëse.
Procesi parashihet të zhvillohet në dy faza. Deri në 50 për qind e personave të përfshirë do të mund të kalojnë në punësim të rregullt në fazën e parë, ndërsa për pjesën tjetër afati për përfundimin e transformimit është 31 dhjetori 2027.
Propozim-ligji përfshin personat e angazhuar me kontrata me afat të caktuar, kontrata në vepër, kontrata autoriale dhe forma të tjera të përcaktuara me ligj. Transformimi do të bëhet në përputhje me kushtet ligjore për vendet përkatëse të punës dhe pas sigurimit të pëlqimit financiar nga Ministria e Financave.
Sali thekson se angazhimi i VLEN-it synon zgjidhjen e problemeve të trashëguara dhe krijimin e më shumë stabiliteti për punonjësit dhe familjet e tyre.
“Përgjegjësia institucionale nuk matet vetëm me premtime, por me zgjidhje konkrete që ndikojnë në jetën e qytetarëve”, deklaron zëvendëskryeministri i parë.

