Zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Bekim Sali, ka vlerësuar se bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut është në një nivel më të lartë se më parë, duke theksuar se projektet e përbashkëta po sjellin përfitime të drejtpërdrejta për qytetarët e të dy vendeve.
Në një deklaratë publike, Sali thekson se marrëveshja dhe funksionimi i “One Stop Shop” në pikat kufitare ka mundësuar kalim më të shpejtë, pritje më të shkurtra dhe lehtësira të dukshme për qytetarët që lëvizin mes dy shteteve.
“Ajo që deri dje ishte premtim, sot është realitet. One Stop Shop po funksionon, duke sjellë kalim më të shpejtë, më pak pritje dhe më shumë lehtësi për mijëra qytetarë”, ka deklaruar ai.
Sipas tij, ky model bashkëpunimi përfaqëson standardin e ri të qeverisjes, ku premtimet shndërrohen në projekte konkrete dhe bashkëpunimi rajonal prodhon rezultate të prekshme.
Në vazhdim Sali ka uruar qytetarët e të dy vendeve për këtë hap, duke e cilësuar si një avancim të rëndësishëm drejt lëvizjes më të lirë dhe më efikase në rajon.

