Zëvendëskryeministri i parë dhe Ministër për Çështje Evropiane, Bekim Sali, së bashku me kryeministrin Hristijan Mickoski, ka pritur në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut kryetaren e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu.
Përmes një statusi, Sali ka theksuar rëndësinë e lidhjeve vëllazërore mes shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut dhe Kosovës, të cilat, sipas tij, mbështeten në historinë, gjuhën dhe kulturën e përbashkët.
“Lidhjet vëllazërore mes shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut dhe në Kosovë, të rrënjosura në historinë, gjuhën dhe kulturën tonë të përbashkët, janë një vlerë që na bashkon dhe na nxit të ndërtojmë ura të reja bashkëpunimi në dobi të qytetarëve të të dyja vendeve”, ka shkruar Sali.
Ai ka theksuar se mbetet i përkushtuar ndaj forcimit të marrëdhënieve mes dy vendeve dhe avancimit të tyre në rrugën evropiane, me synim krijimin e më shumë mundësive, zhvillimit dhe sigurisë për qytetarët.

