May 4, 2024
Maqedoni

Bekim Sali në TV Nova: Pas fitores zgjedhore, fondet për Çairin e Ri do të sigurohen lehtë!

Kandidati i koalicionit AAA-ASH për Komunën e Çairit Bekim Sali, në një intervistë për NovaTv zbuloi një pjesë të projekteve kryesore nga oferta e tij për Çairin e Ri. Ai tha se ka projekte për të gjitha grupet e qytetarëve, ndërsa numëroi vetëm disa prej tyre, projekte urgjente që do t’ia kthejnë shkëlqimin Komunës dhe do të nisin ngritjen e Çairit të Ri.

“Ajo që mund tu premtoj Çairasve të mi, është se gjithçka çfarë premtoj do të realizoj. Po bëj gjithçka që të gjej zgjidhje për problemin e parkingjeve dhe jam kah fundi me proektimin e 1.700 vendparkimeve të reja. Pensionistët do të kenë më shumë fole për takime dhe shoqërim. Grupet e pambrojtura sociale do të kenë kuzhinë publike. Të rinjtë do të kenë qendër sportive, arsimtarët – dinjitet dhe respekt në punën e tyre, banuesit në ndërtesa do të kenë vëmendjen e komunës për infrastrukturën e tyre të vjetëruar. Çarshia do të ketë vëmendje të veçantë si pasuri e madhe kulturore”, tha Sali.

Sali më tej precizoi se si bëhet Çairi i Ri. Ai tha se pasi të vulosin fitoren me 17 tetor, do të shpallin konkurs ndërkombëtar për përpilimin e Master Planit që do të shënojë themelet e Çairit të Ri. Edhe fondet për realizimin e tij janë gati.

“Unë këmbëngul për shpalljen e konkursit ndërkombëtar për Master Planin e Çairit. Nëse arrijmë te kjo, do të shohim të bëjmë ndryshim radikal në Çair, ku e vjetra do të integrohet në Çairin e Ri. E di se si bëhet, e di edhe prej ku sigurohen fondet. Vetëm duhet të mbarojmë punë më 17 tetor dhe vazhdojmë përpara”, u shpreh Sali.