Zëvendëskryeministri i Parë dhe ministri për Çështje Evropiane, Bekim Sali, njoftoi se është zhvilluar takimi i radhës me shefat e misioneve të Bashkimit Evropian, në kuadër të dialogut të rregullt ndërmjet Qeverisë dhe partnerëve evropianë.

Sipas Salit, gjatë takimit u prezantua progresi në zbatimin e Agjendës së Reformave, me theks të veçantë në forcimin e administratës publike, menaxhimin e financave publike, tranzicionin digjital dhe të gjelbër, arsimin, zhvillimin e sektorit privat dhe sundimin e ligjit.

“Ky progres është rezultat i përkushtimit të institucioneve tona dhe bashkëpunimit të ngushtë me Bashkimin Evropian. Mbetemi të fokusuar në përmbushjen e reformave të ardhshme dhe në avancimin e rrugës sonë drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian”, ka shkruar Sali.

Ai shtoi se rezultatet e deritanishme dëshmojnë angazhimin e institucioneve për zbatimin e reformave, ndërsa shprehu mirënjohje për Bashkimin Evropian, Delegacionin e BE-së dhe shtetet anëtare për partneritetin dhe mbështetjen e vazhdueshme në procesin e integrimit evropian.

sqShqip