May 4, 2024
Maqedoni

Bekim Neziri filloi fushatën për kryetar në degën e BDI-së në Çair

Ish ministri dhe kandidati për deputet nga radhët e Bashkimi Demokratik për Integrim, Bekim Neziri, ka filluar fushatën për për kryetar të degës së BDI-së në Çair, shkruan Lideri.mk. Posterët e tij tashmë janë shpërndarë në rrjetet sociale nga “krahu Ahmetist” në komunën e vetme urbane me shumicë shqiptare në Shkup.

Zgjedhjet për kryetar dege në BDI-në e Çairit do të mbahen më 2 korrik 2023, kurse kundërkandidat i Nezirit është Rexhep Ademi.

Integristët kanë caktuar Ekrem Bunjakun si koordinatorë për organizimin e zgjedhjeve të brendshme në degën e Çairit, një ndër degët ku është më e theksuar ndarja mes Ahmetistëve dhe Grupit të Zjarrit.

Para se të konkurrojë për pozitën e të parit të Çairit, Neziri në vitin 2015-të ka qenë kryetar i shtabit zgjedhor komunal, kurse në periudhën 2014-2016, për dy vite radhazi ka udhëhequr me Ministrinë e Ekonomisë.

Neziri gjithashtu ka qenë edhe shef i shtabit qendror zgjedhor.

Ai në vitin 2020, gjithashtu ka qenë edhe kandidat për deputet nën logon e Bashkimit Demokratik për Integrim në zonën zgjedhore numër 3, rajonin e Velesit dhe Çashkës.

Ndryshe, BDI-ja vitin që lamë pas për herë të parë në skenën politike vendore ka përdorur parimin një anëtar-një votë, por te Grupi i Zjarrit ka dyshime të thella se ky parim po keqpërdoret.

Zgjedhjet që po afrohen në disa degë rritën sërish tensionet mes grupeve rivale, deri në pikën që kryetari i komunës së Çairit, Visar Ganiu para dy ditëve tha se ai dhe deputeti Izet Mexhiti kanë marë kërcënime me jetë nga kandidati për kryetar në komunën e Butelit, Muarem Asani, për shkak të pakënaqësive që kishte shprehur ndaj mënyrës së organizimit të zgjedhjeve. Ganiu rastin e denoncoi në polici, kurse Asani demantoi se ka adresuar kërcënime.

Deri më tani në Komunën e Çairit kandidatë janë paraqitur Bekim Neziri dhe Rexhep Ademi, për degën e Butelit kandidaturë ka shpallur Muarrem Asani, për degën e Kumanovës zyrtarisht kanë deklaruar kandidaturat Ridvan Asani dhe i mbështetur nga Arbër Ademi i nënkryetar i BDI-së dhe Fitor Jakupi ish ushtar i UÇK-së, ndërsa nuk ka asnjë lëvizje në degën e Sarajit. Ende nuk dihet se çka do të ndodh me fatin e Degës së BDI-së në Strugë, ku janë ngrirë të gjitha aktivitetet zgjedhore për shkak se kryetari i aktual i degës dhe kryetar i Komunës, Ramiz Merko është në listën e zezë Amerikane. /alsat.mk

/Lideri