Ministria britanike e Mbrojtjes u ka bërë thirrje rezervistëve ushtarakë që të përgatiten për një thirrje të mundshme për luftë, shkruan gazeta britanike “The Telegraph”.

Sipas gazetës, për herë të parë që nga Lufta e Ftohtë, letra u janë dërguar në adresat e rreth 100 mijë rezervistëve strategjikë, duke u ofruar mundësinë që vullnetarisht të marrin pjesë në trajnime dhe ushtrime ushtarake, siç është edhe stërvitja e madhe e NATO-s “Steadfast Defender”, e planifikuar për pranverën e ardhshme.

Letrat u janë dërguar pjesëtarëve të të tria degëve të Forcave të Armatosura britanike dhe janë nënshkruar nga komandantët e tyre. Rezervistëve u kërkohet gjithashtu të përditësojnë të dhënat e kontaktit, të tregojnë se me çfarë merren aktualisht dhe çfarë aftësish profesionale posedojnë.

Ky veprim vjen në një kohë të kërcënimeve të shtuara nga Rusia, ndërsa Vladimir Putin po teston vendosmërinë e NATO-s. Javën e kaluar, Rusia lëshoi raketa lundruese dhe një dron drejt Polonisë lindore, vetëm 100 kilometra larg një stërvitjeje ushtarake të udhëhequr nga Britania e Madhe. Në të njëjtën ditë, ministri britanik i Mbrojtjes, Wes Streeting, dhe shefi i Forcave Ajrore vizituan trupat atje.

" "

Të mërkurën u bë e ditur gjithashtu se Forcat Ajrore Mbretërore (RAF) po i zhvendosin avionët në hangarë dhe planifikojnë të instalojnë rrjeta mbrojtëse për të mbrojtur bazat britanike nga sulmet me dronë.

Ministri i Mbrojtjes, Wes Streeting, kishte paralajmëruar më herët se Britania e Madhe duhet të jetë e përgatitur për luftë brenda 1.000 ditëve dhe se duhet të jetë “e gatshme të luftojë dhe të fitojë” së bashku me partnerët e saj.

Në një intervistë për “Sky News”, të enjten në mëngjes, Streeting tha se Britania po vepron në kushte të një “kërcënimi të shtuar” dhe se thirrja e rezervistëve është një “masë paraprake e arsyeshme dhe e domosdoshme”.

“The Telegraph” mëson se qeveria synon të sigurojë nivele më të larta të qëndrueshmërisë dhe gatishmërisë, pasi Britania e Madhe po e merr më seriozisht Nenin 3 të NATO-s, i cili kërkon nga vendet anëtare që “të ruajnë dhe zhvillojnë aftësitë e tyre individuale dhe kolektive për t’i rezistuar një sulmi të armatosur”.

Forcat tokësore të Britanisë së Madhe aktualisht janë në nivelin më të ulët që nga Luftërat Napoleonike, me rreth 73 mijë ushtarë aktivë.

Ministria e Mbrojtjes njoftoi se letrat u janë dërguar veteranëve si një “hap praktik për forcimin e gatishmërisë dhe parandalimit, duke zvogëluar rrezikun e konfliktit”.

Thirrjet u drejtohen rezervistëve strategjikë, përkatësisht veteranëve që së fundmi janë larguar nga ushtria dhe që ligjërisht janë të detyruar të rikthehen në shërbim në rrethana të jashtëzakonshme. Kjo i dallon ata nga qytetarët e zakonshëm, të cilët mund të paraqiten vullnetarisht për t’iu bashkuar rezervistëve.

Një burim ushtarak ka thënë se letrat janë dërguar me qëllim të përmirësimit të të dhënave për ish-pjesëtarët e personelit ushtarak.

“Fakti që dikur keni drejtuar një tank në ushtri nuk do të thotë se aftësitë tuaja civile sot nuk janë krejtësisht të ndryshme dhe, në fakt, më të dobishme për mbrojtjen”, ka shpjeguar burimi.

Ai ka shtuar se askush nuk po sugjeron që rezervistët do të mobilizohen papritur, por ka theksuar se “do të ishte çmenduri të mos kishit një bazë të dhënash dhe qasje të drejtpërdrejtë te këta njerëz”.

“Nëse ndonjëherë do t’ju nevojiten, shumë gjëra janë ndryshkur. Hapi i parë është të zbuloni se kush janë këta njerëz, ku ndodhen dhe çfarë aftësish kanë”, ka thënë ai.

“The Telegraph” kishte zbuluar më herët se Lord Sanders, gjatë kohës kur ishte shef i Shtabit të Përgjithshëm, i kishte thënë qeverisë se në rast të një lufte me Rusinë, Britania do të duhej të “mobilizonte të gjithë kombin”, pasi ushtria britanike është tepër e vogël.

Shqyrtimi Strategjik i Mbrojtjes i qeverisë nga viti i kaluar gjithashtu theksoi se çdo pjesë e shoqërisë duhet të ketë një rol në mbrojtjen e vendit. Në të rekomandohej edhe rivendosja e lidhjeve me rezervistët strategjikë, në mënyrë që të shfrytëzohen njohuritë dhe përvoja e tyre në rast nevoje.

Qeveria ka hapur gjithashtu një seksion të ri në faqen e saj zyrtare, ku qytetarët mund të informohen më shumë për Rezervën Strategjike dhe për atë se çfarë nënkupton ajo për ta, familjet dhe punëdhënësit e tyre.

Ministri për Veteranët, Calvin Bailey, tha se fuqia e vendit nuk qëndron vetëm te armët dhe pajisjet, por edhe te njerëzit, ndërsa çdo pjesëtar i Rezervës Strategjike është pjesë e kësaj fuqie.

“Edhe pse shumica e rezervistëve strategjikë nuk do të rikthehen kurrë në shërbim, ata janë pjesë e fuqisë parandaluese të vendit tonë dhe ndihmojnë çdo ditë në parandalimin e konflikteve. Këto letra nuk nënkuptojnë se Rezerva do të mobilizohet. Ato shërbejnë thjesht për të mbajtur evidencë, në mënyrë që të dimë se si të kontaktojmë personat që kanë të drejtë të thirren dhe të ndjekim aftësitë dhe përvojën e tyre”, tha Bailey.

Pas sulmit me raketa ruse ndaj Polonisë javën e kaluar, kryeministri polak Donald Tusk vlerësoi se Rusia e kishte shënjestruar atë zonë si një “provokim të qëllimshëm” kundër Britanisë së Madhe, Polonisë dhe vendeve të NATO-s.

Kryeministri britanik, Andy Burnham, e cilësoi incidentin si “krejtësisht të papranueshëm”, e dënoi pa rezerva dhe premtoi se Britania e Madhe do ta mbështesë Poloninë “në çdo mënyrë të mundshme”.

sqShqip