Shkup, 17 gusht – Në Ditën e Armatës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, debati politik u zhvendos edhe te mënyra e emërtimit të saj dhe përfaqësimi i shqiptarëve në strukturat drejtuese. BDI akuzon Ministrinë e Mbrojtjes dhe Qeverinë se po e shtyjnë institucionin drejt një karakteri gjithnjë e më monoetnik, ndërsa kërkon korrigjimin e emërtimit dhe rikthimin e përfaqësimit të drejtë të shqiptarëve.

Nga BDI reagojnë ndaj përdorimit të emërtimit “Armata maqedonase”, duke theksuar se emërtimi zyrtar është Armata e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe se institucioni u përket të gjithë qytetarëve të vendit. “Në rendin kushtetues, përcaktimi ‘maqedonas’ lidhet vetëm me identitetin etnik të popullit maqedonas, ndërsa emri zyrtar është Armata e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Ajo u përket të gjithë qytetarëve dhe të gjitha bashkësive që e përbëjnë shtetin”, thuhet në reagimin e BDI-së.

Sipas partisë, përdorimi i këtij emërtimi është tregues i një realiteti më të gjerë që, siç pretendojnë, po krijohet në sektorin e mbrojtjes. “Ndoshta Ministria, pa dashje, ka përshkruar realitetin që vetë Qeveria po krijon”, vlerëson BDI. Partia akuzon se shqiptarët janë larguar në mënyrë sistematike nga pozitat e larta dhe qendrat e vendimmarrjes në Ministrinë e Mbrojtjes. “Dhjetë drejtorë në Ministrinë e Mbrojtjes, asnjë shqiptar. Në nivelet ku merren vendimet, prania shqiptare është reduktuar deri në përjashtim të plotë”, thuhet në kumtesë.

BDI thekson se Armata financohet edhe nga taksat e shqiptarëve dhe se pjesëtarë të komunitetit shqiptar kanë shërbyer dhe vazhdojnë të shërbejnë në uniformën e saj. “Shqiptarët kanë shërbyer dhe vazhdojnë të shërbejnë në uniformën e saj. Familjet shqiptare ia kanë besuar këtij institucioni bijtë dhe bijat e tyre. Askush nuk ka të drejtë ta shndërrojë atë në pronë simbolike dhe institucionale të vetëm një bashkësie”, thekson BDI.

" "

Në shënjestër të kritikave është edhe partia shqiptare në pushtet VLEN, për të cilin BDI thotë se po hesht përballë zhvillimeve në sektorin e sigurisë. “VLEN-i hesht. Ministrat dhe zëvendësministrat e tyre ruajnë kolltukët, ndërsa shqiptarët humbin pozitat në polici, në ushtri dhe në gjithë sistemin e sigurisë”, thuhet në kumtesë.

Sipas BDI-së, roli i përfaqësuesve shqiptarë në pushtet është reduktuar në mbrojtjen e vendimeve të VMRO-DPMNE-së dhe në përplasjet politike me opozitën shqiptare. BDI kërkon që Ministria e Mbrojtjes të korrigjojë emërtimin e përdorur, të publikojë strukturën etnike të pozitave drejtuese dhe të sigurojë përfaqësim të drejtë të shqiptarëve në të gjitha nivelet e vendimmarrjes. “Armata e Republikës së Maqedonisë së Veriut është institucion i përbashkët. Çdo përpjekje për ta paraqitur dhe ndërtuar si institucion monoetnik cenon drejtpërdrejt karakterin multietnik të shtetit dhe frymën e Marrëveshjes së Ohrit”, përfundon BDI.

sqShqip