Bashkimi Demokratik për Integrim ka akuzuar ministrin e Drejtësisë, Jeton Shasivari, për zvarritje të zgjidhjes së çështjes së dhënies së provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe. Sipas BDI-së, pavarësisht paralajmërimeve për takime dhe konsultime me studentët dhe dekanët e fakulteteve juridike, edhe në sesionin e tetorit kandidatët shqiptarë do t’i nënshtrohen provimit në gjuhën maqedonase.
Në reagimin e saj, BDI vë në pikëpyetje paralajmërimet se provimi i jurisprudencës në shqip është “drejt zgjidhjes”, duke theksuar se përgatitjet e Ministrisë së Drejtësisë për takime nuk kanë sjellë ende një zgjidhje të zbatueshme për kandidatët.
“Por, derisa ministri Jeton Shasivari vazhdon me konsultime dhe paralajmërime, 52 kandidatë do t’i nënshtrohen sesionit të tetorit në gjuhën maqedonase, 12 prej tyre shqiptarë. Kjo nuk është zgjidhje. Është prolongim”, thuhet në reagimin e BDI-së.
Partia opozitare rikujton qëndrimet e Shasivarit gjatë kohës kur ishte profesor, duke theksuar se ai e kritikonte ministrin e atëhershëm të Drejtësisë për pamundësimin e dhënies së provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe. Sipas BDI-së, tani që drejton këtë ministri, Shasivari po kërkon kohë shtesë në vend që të sigurojë zgjidhjen e çështjes.
“Shasivari, dikur si profesor, kritikonte ministrin e atëhershëm të Drejtësisë për pamundësimin e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe. Sot, si ministër, në vend që ta zgjidhë këtë çështje, kërkon edhe më shumë kohë, takime dhe konsultime”, thekson BDI.
Në vijim të reagimit, BDI e krahason këtë qasje me atë të përfaqësuesve të tjerë të VLEN-it, të cilët i akuzon se kanë dhënë premtime gjatë qëndrimit në opozitë, ndërsa pas ardhjes në pushtet po ofrojnë shtyrje dhe arsyetime.
“E njëjta skemë po përsëritet sikur i kemi parë e dëgjuar eksponentët e tjerë të VLEN-it: premtime kur janë në opozitë, ndërsa shtyrje dhe arsyetime kur janë në pushtet”, thuhet në reagim.
BDI thekson se studentët shqiptarë nuk kanë nevojë për premtime të tjera, por për një vendim konkret që do t’u mundësojë dhënien e provimit në gjuhën shqipe. “Studentët shqiptarë nuk kanë nevojë për një tjetër premtim. Kanë nevojë për një zgjidhje që zbatohet”, porosit partia.
Në këtë drejtim, BDI kërkon përgjigje nga ministri Shasivari se përse kandidatët shqiptarë do të vazhdojnë ta japin provimin në maqedonisht edhe gjatë sesionit të tetorit, nëse çështja është vërtet pranë zgjidhjes.
“Shasivari duhet të përgjigjet: nëse provimi i jurisprudencës në shqip është vërtet ‘drejt zgjidhjes’, pse 12 kandidatë shqiptarë duhet ta japin edhe gjatë sesionit të tetorit në maqedonisht?”, pyet BDI.
Në përfundim, Bashkimi Demokratik për Integrim kërkon që çështja e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe të zgjidhet menjëherë dhe të mos mbetet peng i paralajmërimeve për veprime të ardhshme. “BDI kërkon që kjo çështje të zgjidhet menjëherë, e jo të përdoret si një tjetër premtim i prolonguar”, përfundon reagimi./koha.mk

