Shkup, 19 tetor – Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar ndaj propozimit të ministrit të Drejtësisë, Jeton Shasivari, për modelin e provimit të jurisprudencës, sipas të cilit, gjuha shqipe do të përdorej vetëm në një pjesë të provimit. Nga BDI e cilësojnë propozimin si “skandaloz” dhe akuzojnë ministrin se, në vend të zbatimit të ligjit dhe respektimit të Kushtetutës, po kërkon kompromis për një të drejtë që, sipas tyre, tashmë është e garantuar.
“Propozimi i ministrit të Drejtësisë është skandaloz. Në vend që të kërkojë zbatimin konsekuent të ligjit dhe respektimin e Kushtetutës, ai u thotë studentëve: ‘Hajde të merremi vesh ta shkelim Ligjin për përdorimin e gjuhëve, ta shkelim Kushtetutën dhe ta bëjmë provimin pak shqip e pak maqedonisht’”, thuhet në reagimin e BDI-së.
Nga kjo parti pretendojnë se qëndrimi i tanishëm i Shasivarit është në kundërshtim me deklarimet e tij të mëparshme, kur si profesor universitar kishte mbështetur kërkesën e studentëve shqiptarë për dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe.
“Ky qëndrim bie ndesh drejtpërdrejt me atë që vetë ministri deklaronte vetëm disa muaj më parë. Por, me t’u ulur në kolltukun e pushtetit, ai nxori nga sirtari propozimin e Karakamishevës dhe sot e mbron atë me fanatizëm, pikërisht para studentëve, të cilëve dje u njihte të drejtën që sot përpiqet t’ua mohojë”, thekson BDI.
Partia e cilëson këtë si ndryshim të papranueshëm të qëndrimit të ministrit dhe vlerëson se çështja e përdorimit të shqipes nuk mund të trajtohet si objekt negociatash politike.
“Hipokrizia nuk ka fund! Ky degradim i pozitës së shqiptarëve po merr përmasa alarmante. Të drejtat kushtetuese dhe ligjore nuk mund të shndërrohen në objekt pazaresh politike, aq më pak nga ata që kanë detyrimin t’i mbrojnë dhe t’i zbatojnë ato”, thuhet më tej në reagim.
BDI u bën thirrje edhe subjekteve të tjera politike që ta kundërshtojnë propozimin, duke theksuar se çështja duhet të tejkalojë ndarjet partiake. Partia shpreh mbështetje për studentët dhe kërkesën e tyre që provimi i jurisprudencës të mund të jepet plotësisht në gjuhën shqipe.
“Ky skandal duhet të dënohet nga të gjithë, pa dallim politik. Ne jemi me studentët, me të drejtën e tyre kushtetuese dhe ligjore dhe me parimin se ligji duhet të zbatohet, jo të negociohet në dëm të të drejtave të shqiptarëve”, thekson BDI.
Sipas partisë, studentët shqiptarë kanë të drejtë që jo vetëm provimin e jurisprudencës, por edhe provimet e tjera shtetërore, t’i japin në gjuhën shqipe, në përputhje me interpretimin që BDI i bën Kushtetutës dhe Ligjit për përdorimin e gjuhëve.
“Studentët kanë të drejtë që provimin e jurisprudencës, sikurse edhe çdo provim tjetër shtetëror, ta japin në gjuhën shqipe, në përputhje me Kushtetutën dhe Ligjin për përdorimin e gjuhëve. Studentët nuk kanë nevojë për kompromise që cenojnë të drejtat e tyre. Kanë nevojë për zbatim të ligjit!”, përfundon reagimi i BDI-së.

