Këshilltarët e BDI-së dhe Aleancës për Shqiptarët kanë akuzuar shumicën në Këshillin Komunal të Tetovës se ka larguar në mënyrë “klandestine” nga rendi i ditës propozim-vendimin për emërtimin dhe riemërtimin e rrugëve dhe sheshit të qytetit, raporton Zyrtare.

Në një komunikatë për media, BDI bën të ditur se në fillim të seancës kanë kërkuar që kjo pikë të shqyrtohej si e para në rendin e ditës, duke e cilësuar atë si çështjen më të rëndësishme për qytetin. Sipas tyre, kërkesa nuk është pranuar nga shumica në Këshill.

Ata thonë se, pas refuzimit, këshilltarët e tyre kanë bllokuar vazhdimin e seancës, ndërsa më pas është zhvilluar një takim koordinues, ku, sipas komunikatës, është propozuar që shqyrtimi i kësaj pike të shtyhej deri pas mbledhjes së Komisionit për emërtimin e rrugëve dhe shesheve, e cila është caktuar të mbahet nesër në orën 15:00.

Megjithatë, BDI dhe ASH pretendojnë se ky propozim nuk është respektuar nga udhëheqësia komunale dhe shumica VMRO–VLEN. Sipas tyre, pas largimit të këshilltarëve të opozitës nga seanca, shumica ka vazhduar punimet dhe ka tërhequr nga rendi i ditës propozim-vendimin për emërtimin dhe riemërtimin e rrugëve dhe sheshit të Tetovës.

" "

Në reagim, BDI dhe ASH akuzojnë udhëheqësinë komunale se nuk ka pasur vullnet për ta zgjidhur këtë çështje dhe se ka shmangur debatin publik përmes, siç thonë, “manovrave procedurale”.

Ata gjithashtu kërkojnë që, brenda 30 ditëve, kryetari i Komunës dhe Komisioni për emërtimin e rrugëve t’ia dorëzojnë Këshillit listën përfundimtare me emrat e propozuar për rrugët dhe sheshin e Tetovës.

Në fund të komunikatës, BDI dhe ASH theksojnë se do të vazhdojnë, sipas tyre, betejën për ndryshimin e emrave të rrugëve përmes mekanizmave ligjorë dhe demokratikë, duke shtuar se për historinë dhe dinjitetin e Tetovës nuk do të bëjnë kompromis.

sqShqip