BDI përmes një reagimi në Facebook thanë se: Pranimi publik nga përfaqësues të VLEN-it se janë “tmerrësisht të dobët” brenda Qeverisë nuk është arsyetim, por dëshmi e dështimit të plotë politik.

Reagimi i plotë:

Pranimi publik nga përfaqësues të VLEN-it se janë “tmerrësisht të dobët” brenda Qeverisë nuk është arsyetim, por dëshmi e dështimit të plotë politik.

Në një kohë kur rajoni po ecën përpara, Maqedonia e Veriut po mbetet gjithnjë e më e izoluar, ndërsa pozita politike dhe institucionale e shqiptarëve po degradohet çdo ditë. Përfaqësimi po zvogëlohet, gjuha shqipe po përjashtohet, institucionet po mbyllen për shqiptarët dhe çdo arritje e ndërtuar ndër vite po vihet në pikëpyetje.

" "

VLEN-i nuk mund të arsyetohet me forcën e VMRO-DPMNE-së. Qytetarët kanë të drejtë të pyesin: nëse jeni kaq të dobët, përse vazhdoni të qëndroni në Qeveri dhe kujt po i shërben pjesëmarrja juaj?

Në të njëjtën kohë, opinioni publik kërkon përgjigje serioze për akuzat gjithnjë e më të shpeshta për përqendrimin e ndikimit ekonomik, tenderëve dhe interesave të biznesit rreth rrethit të ngushtë familjar e politik të Izet Mexhitit në Shkup dhe më gjerë. Këto dyshime duhet të marrin përgjigje transparente dhe institucionale, thanë nga BDI-ja.

Ky kombinim i dobësisë politike, degradimit të pozitës së shqiptarëve dhe dyshimeve për përfitime private është alarm që duhet ta mobilizojë secilin qytetar.

Shqiptarët nuk kanë nevojë për përfaqësues që e pranojnë pafuqinë e tyre. Kanë nevojë për përfaqësim që mbron interesin politik, dinjitetin dhe barazinë e tyre.

sqShqip