Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) – Dega Tetovë, ka njoftuar organizimin e një proteste masive qytetare për të shtunën e ardhshme (11 korrik 2026), si reagim ndaj vendimit të Gjykatës Kushtetuese për shfuqizimin e emrave të rrugëve dhe sheshit të qytetit.

Vendimi vjen pas një mbledhjeje urgjente që dega e kësaj partie zhvilloi me të gjitha strukturat e saj lokale, ku u analizua situata e krijuar.

Sipas BDI-së, arsyetimi zyrtar i Gjykatës Kushtetuese ka zbuluar se Komuna e Tetovës, përgjatë një viti të plotë, ka injoruar katër herë radhazi kërkesat për dorëzimin e dokumentacionit të nevojshëm.

“Kjo heshtje institucionale dhe ky mosveprim rezultuan me shfuqizimin e vendimit për emërtimin e rrugëve dhe sheshit të Tetovës, si dhe me rikthimin e emrave të vjetër nga periudha e monizmit,” thuhet në deklaratën e BDI-së.

" "

Opozita shqiptare në Tetovë drejton gishtin e përgjegjësisë drejtpërdrejt nga kryetari i komunës, Bilall Kasami. BDI pretendon se ka tentuar të zbardhë ngjarjen përmes rrugëve institucionale, por ka hasur në “murin e heshtjes” së pushtetit lokal:

Kërkesa për thirrjen e një seance urgjente të Këshillit Komunal u hodh poshtë.

Dy kërkesa zyrtare për qasje të lirë në informata me karakter publik (për të parë korrespondencën me Gjykatën Kushtetuese) u injoruan nga Komuna.
“Për ne është më se e qartë se Bilall Kasami mban përgjegjësi të drejtpërdrejtë politike për këtë vendim skandaloz. Heshtja dhe mosveprimi i tij ndaj kërkesave të Gjykatës Kushtetuese përbëjnë përgjegjësi të rëndë ndaj interesit, historisë dhe dinjitetit të qytetarëve të Tetovës,” deklaron dëga e BDI-së.

Në përmbyllje të komunikatës, BDI – Dega Tetovë u ka bërë thirrje të gjithë banorëve të qytetit, pa dallime partiake, që të shtunën **më 11 korrik 2026**, të dalin masivisht në rrugë. Sipas tyre, kjo protestë nuk është thjesht partiake, por një reagim qytetar “për mbrojtjen e dinjitetit, historisë dhe identitetit” të Tetovës.

sqShqip