April 29, 2024
Kolumna

BDI buzë krizës së identiteti – don të aktrojë njëkohësisht UÇK para shqiptarëve, kurse “jeshillëk” para maqedonasve

Editorial i botuar në portalin “Lideri Info” (www.lideri.mk)

Ali Ahmeti para dy ditëve e ndryshoi fotografinë e profilit të vet në facebook. E largoi foton që e kishte mbajtur disa muaj rresht, ku paraqitej i veshur me uniformë të UÇK-së. Tani në profil Ahmeti ka vendosur një fotografi “moderne” (siç do shprehej Bujar Osmani), veshur me këmishë të bardhë e me gjelbrim në sfond, i rrethuar me vajza të reja e djem të rinj.
Zgjedhjet po afrohen. Edhe atë zgjedhje lokale. BDI-së tani i nevojiten edhe votat e maqedonasve. Fotografia e UÇK-së, është pengesë për t’i fituar ato. Kreu i BDI-së, më mirë se çdo kush tjetër është i vetëdijshëm për këtë realitet. BDI e don UÇK-në, por më shumë se UÇK-në e don pushtetin. UÇK e ka vendin e vet, por BDI (me çdo kusht) duhet të jetë në pushtet. Sepse pa pushtet, nuk ka lezet. Kurse pushteti lokal (në shumë komuna) fitohet me votat e maqedonasve. Edhe këtë e din shumë mirë Ahmeti.
****
Si gjithçka tjetër, edhe fotografia në profilin e një politikani përçon mesazh politik. Në rastin konkret, ndryshimi i fotografisë së Ali Ahmetiti me uniformë të UÇK-së, me një fotografi ku mban këmishë të bardhë, përçon dy mesazhe kryesore.
Mesazhi i parë është për opinionin maqedonas dhe si duket ka kuptiminÇ “ne të BDI-së nuk jemi aq shumë UÇK, siç mendoni ju, por mediumet i zmadhojnë ndonjëherë gjërat dhe më kanë nxjerrë nga kontesti”.
Për të forcuar këtë bindje te opinioni maqedonas, (se nuk është aq shumë UÇK sa mendojnë ata), Ahmeti me siguri do të japë ndonjë intervistë të re, ku për të 20-tën ose 30-tën herë do të përsërisë refrenin tashmë monoton, se në vitin 2001 nuk e ka pranuar planin për ndarjen e Maqedonisë. Refren që nuk ka më efekt, sepse gjithhnjë e më pak i beson opinioni, pasi nuk ekziston asnjë fakt relevant që Ahmeti ka qenë në pozitë për të pranuar ose refuzuar plan të tillë, por atë e kanë refuzuar Boris Trajkovski, Branko Cërvenkovski, Arben Xhaferi dhe Imer Imeri, kurse e ka përkrahur vetëm Lubço Georgievski, (partner aktual i BDI-së në qeveri…sic).
Nejse. Edhe më interesant është porosia e dytë, që përçon fotografia “paqësore” e cila në profilin e Ali Ahmetit zëvendësoi fotografinë “militante” me uniformë të UÇK-së.
Është porosi që u dedikohet funksionarëve dhe strukturës operative të BDI-së, ku bëjnë pjesë ata aktivistë që së paku një herë deri tani janë fotografuar me Ali Ahmetin në tubime partike. Është porosi që duhet të kuptohet nga të gjithë, pa pasur nevojë t’i shkruajë ose telefonojë secilit veç e veç.
E përmbajtja e kësaj porosie është që tani duhet t’i harrojnë dhe t’i fshijnë nga rrjetet sociale frazat që i përdorin shpeshë para zgjedhjeve parlamentare, si “armiku sllavomaqedonas”, “sllavomaqedonasit e mallkuar”, “sllavomaqedonët do t’i kthejmë pas Karpateve prej ku kanë ardhur në shekullin pesë”, ose “sllavomaqedonasit i kemi mposhtur në luftë, do t’i mposhtim edhe në politikë”.
Porosia për ta është tani të “bluajnë më butë”, kurse statuset e ashpra me “sllavomaqedonas të mallkuar” ruani për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, kur beteja zhvillohet vetëm për votat e shqiptarëve.
Tani në në rrjetet sociale duhet të shkruani statuse me porosi paqeje, harmonie dhe bashkëjetese. Nëse nuk dini t’i shkruani vetë, hyni bëni ‘search’ në google, ka plotë të tilla.
Postoni edhe ndonjë fotografi me bollëk gjelbrim nga vikendet e kaluara në Mavrovë, Strugë ose Ohër, eventualisht në Durrës e Shëngjin. Assesi mos postoni fotografi prej pushimeve luksoze të kaluara në Antali, Egjipt, Spanjë ose në Dubai, e të paguara shtrenjtë me paratë e fituara me djersë dhe me nder nëpër tendere qeveritare dhe lokale.
*****
E gjithë kjo, duke filluar nga ndryshimi i fotografisë në profilin zyrtar të Ali Ahmetit në facebook, e deri te porositë që përçon fotografia e re, flet për dilemën politike në të cilin gjendet BDI, se si të ndërtohet një strategji për të joshur edhe shqiptarët edhe maqedonasit. Dilemë që në njëfarë mënyre merr edhe trajta të krziës së identitetit brenda kësaj partie.
Një krizë specifike identiteti e cila nuk vjen si pasojë e dallimeve ideologjike, filozofike, politike ose strategjike mes rrymave të ndryshme në parti. Por që vjen si pasojë e dështimeve në nivel lokal në komunat që udhëheqin kuadrot e kësaj partie gjatë katër viteve të fundit, dështime që janë edhe më të theksuara se në mandatet e mëhershme.
Dështime shkaku i të cilëve nga 50 autobusë me të rinj çdo ditë po ikin nga Maqedonia dhe nuk është çudi që në ndonjërin prej atyre autobusëve, një ditë të gjenden edhe të rinjtë nga fotografia idilike parazgjedhore e Ahmetit.
Janë dështime që i prekin dhe revoltojnë qytetarët e komunave, pa marë parasysh cilës etni i takojnë.
Dështime që nuk mund t’i mbulojnë as analistët e pavarur (me xhepa të trashur nga pushteti), të cilët me siguri do të paraqiten dhe do të na bindin se BDI po bën PR të shkëlqyer. Po çfarë hajri, kur qytetarët nuk kanë problem me PR-in e BDI-së, por kanë problem me dështimet e saj.
Prandaj në mungesë të sukseseve, me të cilat do të përfitonin përkrahjen e gjithë qytetarëve pa dallim të përkatësisë etnike, BDI tani është e detyruar të aktrojë-herë UÇK herë “jeshillëk”, kurse gjithë ky katrim mund të shndërrohet në komedi me përfundim tragjik zgjedhor për ta.