May 4, 2024
Maqedoni

Bashkëpunimi Zaev-Rama-Vuqiç/ Qeveria e Kosovës: Iniciativa e Novi Sadit nuk e ka miratimin tonë!

Kryeministri Edi Rama përsëriti ftesën ndaj Kosovës, Bosnjë-Hercegovinës dhe Malit të Zi për t’u bërë pjesë e “Shengenit Ballkanik”, në Forumin Ekonomik për Bashkëpunim Rajonal që po zhvillohet sot në Shkup.

Megjithatë e pyetur nga Euronews Albania, zyra e kryeministrit të Kosovës mohoi të ketë marrë ftesë zyrtare për Forumin.

“Iniciativa e Novi Sadit nuk e ka miratimin tonë dhe si rrjedhojë nuk kemi pasur zyrtarisht ftesë për pjesëmarrje në takim,” tha për korrespondentin e Euronews Albania Kosovë Gjoci, zyra e Kurtit.

“Për ne i ashtuquajturi “Mini Shengen” është nismë pa vizion për rajonin. Qeveria e Republikës së Kosovës u bën thirrje qeverive të rajonit që të mbeten të përkushtuara ndaj agjendës së Bashkimit Evropian dhe marrëdhënieve transatlantike,” thuhet në reagim.

Rama theksoi nga Shkupi se kushdo që dëshiron të bashkohet në këtë nismë është i mirëpritur. Ai shtoi se nuk i kupton arsyet e refuzimit nga ana e Malit të Zi dhe Bosnjë-Hergevonës, por shtoi se i di arsyet për çfarë mendohet Kosova dhe është kundër qëndrimit të tyre.

“Sepse e di për çfarë mendohet Kosova dhe në këtë pikë jam absolutisht me një qëndrim të kundërt sepse për mua të gjitha këto vende duhet të jenë pjesë e këtij procesi dhe duhet të bëjnë maksimumin në këtë proces për veten e tyre, për njerëzit e tyre, për shoqëritë e tyre dhe për të gjithë së bashku dhe çdo ditë që ne fitojmë në këtë proces është një ditë e fituar për të ardhmen”, u shpreh kreu i qeverisë shqiptare.

Ndërkohë, Kosova, Bosnjë-Hercegovina dhe Mali i Zi nuk kanë marrë një ftesë për të marrë pjesë në “Forumin Ekonomik për bashkëpunim Rajonal” që po zhvillohet sot në Shkup.